Juristi Romeo Kara i ka cilësuar si boshe dhe të pavlera deklaratat e djeshme të ish-kryeministrit Berisha ndaj Blinken dhe ambasadores Yuri Kim.
Duke përmendur urdhrin e publikuar pak kohë më parë nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili thoshte se do të sekuestrohen pasuritë që kanë në Amerikë të korruptuarit shqiptar, juristi thekson se Berisha nuk ka rrugë shpëtimi. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Romeo Kara shprehet se krimet dhe korrupsionin që ka kryer Berisha ndër vite nuk pi ujë përballë një padie ndaj Blinken, përkundrazi e rëndon më shumë situatën.
“Ambasada Amerikane foli qartë: ajo do të përdorë çdo mjet në dispozicion për të ekzekutuar urdhrin e Presidentit Biden. Saliu zullumet i bën në Shqipëri, por faqja i skuqet në Paris, prandaj padinë për shpifje po e servir atje. Do shohim, a do fshihet turpi i Saliut me atë padi apo menderja e Blinkenit. Duke qenë se, Saliun nuk ka lumë dhe det që e lanë, ka shumë mundësi të ndodhë e dyta”, – shkruan juristi.
Duke cituar një reagim nga një deklaratë e djeshme e Yuri Kim, Romeo Kara thotë se PD duhet të dëgjojë këshillat e saj, në të kundërt Berisha do t’i marrë me vete në llumin ku do përfundojë së shpejti. Këtu ai thekson për të disatën herë se, tani asgjë nuk ka kthim pas as fati që është përcaktuar për Berishën dhe mbështetësit e tij.
“Nuk i duhet qarë fare halli i PD-së, e cila mund të pësojë fatin e Berishës, përkundrazi uroj që në theqafjen e saj, t’i marre me vete, të gjitha bandat e tjera politike, që rrënuan këtë popull dhe këtë vend prej 30-vitesh”, – shkruan ai.
Deklaratat e ish-kryeministrit Berisha kanë ngjallur mjaft reagime dje. Shumica i kanë dalë kundër, ndërsa bie në sy fakti se ka shumë pak mbështetje. Ndërkohë amerikanët duken të vendosur në qëndrimin e tyre se për ta Berisha është person i padëshiruar dhe rrezik për SHBA.
Diskutime rreth kësaj post