Juristi i njohur Romeo Kara ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Kara paralajmëron fundosjen e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta. Ai ka bërë edhe një deklaratë të fortë, ku thotë se Sali Berisha shpreson dhe lufton që të realizojë të vetmen mundësi reale të shpëtimit të tij, atë të destabizimit dhe disintegrimit të vendit. Po ashtu Romeo Kara i ka bërë një skaner edhe opozitës shqiptare, e cila sipas tij fatkeqësisht është e kontrolluar nga klani kriminal Berisha. Juristi thotë se si mund të bëjnë opozitë politikanët që janë të zhytur në vila biznese dhe hotele.
-Zoti Kara, opozita zhvilloi një protestë të enjten që shkoi. Por u duk qartë që ai tubim ishte dështim, pasi shumë qytetarët ju bashkuan thirrjes për të protestuar. Si ka mundësi që PS është në vitin e 11 të qeverisë dhe opozita s’ka mbështetje qytetare?
Shumë e thjeshtë: opozita është një ish-pozitë që e ka mbyllur ciklin e saj politik, e korruptuar deri në palcë, fatkeqësisht e kontrolluar nga klani kriminal Berisha, pa besueshmëri se mund të sjellë ndryshimet e nevojshme, larg vlerave të moralit, e fosilizuar pakthim si një mjet destabiliteti dhe kërkuese vetëm e rotacionit politik dhe jo të ndarjes përfundimtare nga kjo periudhë e zezë postkomuniste, ku gara politike ka konsistuar vetëm në grabitjen e pasurive publike, rrënimin e vlerave, nocionit shtet, interesave kombëtare, arsimit, shëndetësisë, ushtrisë, industrisë, etj. Kjo opozitë, nuk përçon së paku as qytetarizëm në ndërtimin e saj, me kokëfortësinë për t’u servirur akoma si bajrak në mes të kryeqytetit dhe përpara Europës.
Kjo opozitë ka shpërdoruar besimin e qytetareve pasi ka braktisur çdo kauzë qytetare në favor të pazareve berishiane. Kjo opozitë kurrë nuk ngriti zërin për minimumin jetik, depolitizimin e administratës, krijimin e tregut të lirë, forcimin e shtresës së mesme, nxjerrjen e ekonomisë dhe vendit nga kthetrat e oligarkisë dhe mbi te gjitha kthimin e sovranitetit tek populli duke pranuar kusuret e saj dhe denoncuar marrëveshjen e turpshme të vitit 2008 lidhur me Kodin Zgjedhor, ku u vra përfundimisht demokracia e sapolindur në Shqipëri dhe u instalua pazari politik.
Kjo opozitë, po mban peng lindjen dhe rritjen e një opozite të vërtetë dhe është realisht bashkëpërgjegjëse me pozitën, për gjendjen e pashpresë ku është zhytur vendi. Ngrihu e lidhu vetëm rreth Berishës, kjo opozitë përveçse qesharake është bërë edhe e neveritshme dhe si nje mish i huaj në mjedisin e vërtetë qytetar.
-Sali Berisha dhe besnikët e tij thuajse çdo dite sulmojnë SPAK. Pse është alarmuar ish-kryeministri dhe çfarë do të ndodhë me aferën “Partizani”, pasi hetimet për këtë dosje janë shtyrë me 3 muaj? A rrezikohet Berisha?
Prandaj kjo opozitë nuk ofron asnjë zgjidhje dhe alternativë. Ne momentin kur i gjithë populli po përjeton pasojat e një korrupsioni të pashembullt dhe çdo zgjidhje reale politike e shoqërore do të ishte ndërtimi i shtetit të së drejtës, kjo opozite shpalos me dhune dhe retorike banale alternativen antishtet, anti-SPAK, anti-drejtësi, për arsyen e vetme sepse jo vetëm është nën diktatin e familjes më të madhe mafioze në Shqipëri, familjes Berisha, por edhe se shumë nga drejtuesit dhe aktivistët e saj janë peng të të kaluarës së tyre.
Nuk mund të kërkojë minimumin jetik një opozitar i zhytur në vila, biznese dhe hotele. Njerëzit i dinë këto dhe në shume raste nuk reagojnë, por as nuk e përkrahin hipokritin e çirret për hallet e popullit, duke rrënuar institucionet e drejtësisë dhe se bashku me to edhe shpresën se ky vend mund të bëhet. Njerëzit realisht kanë të drejte: ky vend nuk mund të bëhet, nëse nuk thyejnë qafën hajdutët e djeshëm dhe të sotëm, të cilët janë të lidhur pazgjidhshmërisht me interesa shumë të forta ekonomike ndërmjet tyre.
A rrezikohet Berisha, pyesni ju? Mjafton ta shihni se si është katandisur si telendar, duke bërë çdo natë serenatë anti-SPAK, për ta kuptuar se frika i ka hyrë në palcë dhe se nuk ka më asgjë me prioritare për të se sa shpëtimi i lëkurës së tij. Ai shpreson dhe lufton që të realizojë të vetmen mundësi reale të shpëtimit të tij, atë të destabizimit dhe disintegrimit të vendit.
-Edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta sulmon ashpër SPAK. Pse zoti Meta është alarmuar dhe a rrezikon që SPAK ta marrë atë zyrtarisht nën hetim, duke qenë se akuzohet për shumë afera korruptive dhe kriminale?
Edhe kryemafiozi Sali Berisha e di dhe e ka thënë mire që Ilir Meta është “Kokë e qelbur”, “Kokë e krimit”. E besoj plotësisht se kjo kokë e krimit do të përballet shumë shpejtë me drejtësinë. Çoroditja e tij psikike, sa here hyn e del në zyrat e SPAK-ut, është prova më e mirë lidhur për sa unë them.
-Po me hetimet për dosjen “CEZ-DIA” çfarë po ndodh?
Besoj se hetimet janë drejt fundit të tyre lidhur me këtë çështje si dhe çështjet e tjera të bashkuara me të. Besoj gjithashtu se, çështje të tjera do të hetohen lidhur me Kokën e Qelbur, Kokën e Krimit, që është tromaksur aq shumë, sa as vetë nuk po e merr vesh se në cilin lumë gdhihet dhe në cilin përrua ngryset.
Intervistoi: Rigels Seliman
Diskutime rreth kësaj post