Skandali i përmasave botërore i mbiquajtur “Pandora Papers”, vijon të jetë tema e ditës në vendin tonë dhe në botë. Pak ditë më parë një rrjet gazetarësh investigativë kanë zbuluar mijëra dokumente se si liderë botërorë kanë fshehur pasuritë në parajsa fiskale. Sipas të dhënave të publikuara, janë 336 politikanë të përfshirë nga e gjithë bota, mes të cilëve edhe një nga Shqipëria. Por për të mësuar më shumë rreth këtij skandali që ka marrë përmasa botërore, gazeta “SOT” foli dje me juristin Romeo Kara.
Ky i fundit gjatë një prononcimi zbuloi skemën si politikanët shqiptarë fshehin pasuritë në offshore, ndërsa i akuzoi ata se pastrojnë paratë që më pas i fusin në vend duke i investuar.
“Unë jam mëse i sigurt se, politikanë shqiptarë si dhe administrues të pasurive publike, përveçse kanë vjedhur nëpërmjet korrupsionit, mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës, kanë krijuar kompani offshore jashtë vendit, duke transferuar atje paratë e vjedhura të korrupsionit, duke bërë shpërndarjen e tyre në persona dhe subjekte të ndryshme, të cilët duan të qëndrojnë anonimë, të realizojnë një cikël të plotë pastrimi parash si dhe të rikthehen përsëri në Shqipëri si investitorë të huaj, në bashkëpunim me kompani vendase, të cilat sigurisht që janë afër me këta politikanë”, deklaroi ai për gazetën “SOT”.
Më tej juristi Romeo Kara gjatë prononcimit të tij për gazetën “SOT”, u shpreh se politikanët shqiptarë përveçse kanë fshehur pasuritë në offshore, sipas tij, ata kanë krijuar kompani fantazëm, në mënyrë që të marrin tendera në Shqipëri. Sipas tij, të gjithë politikanët shqiptarë që fshehin paratë në offshore janë të zhytur në afera.
“Kam dyshimet e mia të arsyeshme që persona të tillë abuzues me pushtetin, përveçse kanë transferuar paratë e vjedhura nëpër kompani dhe banka offshore, kanë krijuar së bashku me biznesmenë klientë të tyre kompani të veçanta vetëm me qëllim investimi në Shqipëri (SPV), të cilat jo vetëm që realizojnë pastrimin e parave të korrupsionit, por gjithashtu deformojnë tregun, barazinë përpara ligjit si dhe frymën e konkurrencës. Ironia e fatit në këto raste është: një ministër i korruptuar që krijon një kompani të tillë, të cilën e ofron në kushte anonimati për të marrë pjesë në procese tenderimi apo investimi strategjik në Shqipëri”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post