Juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një reagim për gazetën “SOT”, zoti Kara paralajmëron se shumë shpejt SPAK pritet të çojë pas hekurave Sali Berishën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë të përfshirë nga afera. Sipas tij kjo frikë dhe tmerr ka bërë që Berisha të aktivizojë planin që di të bëjë më mirë, atë të protestave. Sipas tij çdo skenar i ish-kryeministrit do të dështojë pasi koha që kontrollonte drejtësinë ka perënduar. Juristi thotë se politikani i parë që guxon të ndërmarrë një hap të tillë, gjë që rithekson faktin se ai e sheh qartë fundin e tij. “Situata e Berishës tashmë është si një kronikë e paralajmëruar dhe e paracaktuar gjithashtu. Me siguri atij do t’i hiqet imuniteti dhe SPAK-u do t’i kërkojë GJKKO-së nje nga masat e arrestit. Rrugë tjetër ligji procedural nuk njeh. Deri më tani Berisha ia ka arritur që të shpërfillë ligjin dhe këtë qasje si person që qëndron mbi ligjin ai ia ka imponuar fillimisht pasuesve te tij dhe më pas të gjithë vendit për pothuaj 30 vite. Berisha duke qenë mbi ligjin ka qenë vetë ligji mbi ligj, gjë që jo vetëm ka rrënuar barazinë përpara ligjit, por edhe ka qenë shkaku kryesor i sundimit të tij. Statusi i tij i deritanishëm si person mbi ligjin, shpreh qartë nënshtrimin ndaj tij të një vendi të tërë. Pra, çuarja e tij përpara ligjit si të barabartë me ne, është jo vetëm kthimin e dinjitetit të ligjit dhe rendit juridik, por edhe fillimi i rrëzimit të sundimit të tij. Pikërisht këtë fillim të funksionimit të ligjit në koncept nuk ka dashur dhe nuk pranon Berisha. Ai e ka të pamundur që t’i nënshtrohet ligjit dhe ndëshkimit të tij. Ai sheh në këtë përballje ligjore agonie e tij dhe të pushtetit të tij, prandaj po stis protesta në emër të mosbindjes civile në funksion të destabilizimit politik të vendit si e vetmja shpresë për shpëtim. Ai e ka të pamundur të bëjë të tijin çdo ligj natyror dhe të gjejë paqen me vetveten. Krizën e tij do tentojë ta shndërrojë në krizë mosbindjeje, por edhe aty është totalisht i dështuar pa filluar mirë, jo vetëm sepse nuk ka pasuesit e duhur, por edhe sepse askush në arenën ndërkombëtare nuk do ta pranojë një mosbindje ndaj drejtësisë në emër të mosbindjes civile. Ai është politikani i parë që guxon të ndërmarrë njëhap të tillë, gjë që rithekson faktin se ai e sheh qartë fundin e tij”, deklaroi juristi Kara.
Tërheqja e Ilir Metës
Më tej avokati Romeo Kara ka treguar gjithashtu se frika nga prangat e drejtësisë është arsyeja që ka detyruar Metën të braktisë Berishën në planin e tij për të t’i shpëtuar SPAK me kartën e trazirave dhe kaosit. Kjo tërheqje sipas tij është taktikë nga Meta pasi ai e di shumë mirë që Berisha do të dështojë nga kjo lëvizje. Meta prej kohësh i është bashkangjitur Berishës në fatin e tij edhe pse nuk ka statusin e tij si person mbi ligjin. “Ka qenë Berisha dikur që iu imponua me pushtetin e tij Gjykatës së Lartë për të shpallur të pafajshëm Metën, por sot ajo kohë ka perënduar, prandaj Meta si hesapxhi profesionist po bën një tërheqje taktike prej tij, gjë që përforcon idenë se Berisha do të jete i pasuksesshëm në tentativat e tij për mosbindje ndaj drejtësisë. Ilir Meta kurrë nuk i bashkëngjitet me dëshirë humbësit, në këtë rast Berishës. Duke marrë parasysh që shumë shpejt do të kemi një komunikim akuze ndaj tij, gruas dhe bashkëpunëtorëve të tij për një sërë veprash penale tashmë nën hetim, mendoj se tani Meta ka vetëm një garë reale me Berishën, atë se kush do të shkojë i pari në bangën e të akuzuarve. Për të mos i mbetur hatri asnjërit prej tyre do të sugjeroja që t’i arrestonin të dy në një ditë. Ky arrestim do të ishte plotësisht në “nderin” e tyre të rrufjanit politik. Haber më të mire për shqiptarët në këtë prag fundviti nuk do të kishte. Kjo gjë do t’i shërbente realisht edhe shëndetit të Metës tashmë të tretur nga tmerri pafund prej përballjes me drejtësinë. Tashmë ai e meriton sot më shumë se kurrë fundin e shumëpritur me tmerr”, nënvizoi juristi Romeo Kara për gazetën “SOT”.
Diskutime rreth kësaj post