Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Roland Bejko komentoi zhvillimet e fundit në PD si dhe atë se çfarë pritet të ndodhë më datë 18 dhjetor, ku do të mbahet edhe Kuvendi Kombëtar, i thërritur me vendim kryesie.
Ai tha se Basha ka avantazh aleatin ndërkombëtar që kanë deklaruar hapur mbështetjen për këtë.
“Nuk kishte transparencë në Kuvendin e parë. Unë i jam shmangur këtij debati, e jam kapur te ajo që pse zoti Berisha ndërmori këtë aksion. Qëllimi është që të imponojë SHBA-në dhe të thotë që nuk më largon kollaj. Demokracia shqiptare në vetvete është një demokraci hibride, ende nuk është futur në familjen e shoqërive demokratike. Fakti është që partitë janë të kryetarëve. Sot Basha kërkon t’i largohet berishizmit, të shmanget nga ajo. Ai thotë që do të distancohet nga e kaluara. Pse? Sepse e kaluara e mbylli ciklin e vet politik. Nuk justifikoj zotin Basha. Për ne, zoti Basha ishte e ardhmja. Ata që ishin ekipi i tij i ngushtë që kanë dalë me krahë të Berishës e kanë prezantuar Bashën si kryeministër normal, evropian. Nuk kanë dalë ende bashkëpunëtorët e Bashës, që t’i kërkojnë shqiptarëve ndjesë e të thonim kemi gënjyer. PD është drejtuar nga dy bashkëkryetar, sepse të dy e kanë bashkëdrejtuar PD. Që pas datës 9 e këndej zoti Basha ka marrë frenat vetë dhe qytetarët shqiptarë tani do të shohin si do të jetë qasja e tij vetëm. Qytetarët janë duke pritur projektin politik të zotit Basha që do e bëjë prezent ditën e shtunë. Zoti Basha nuk do i drejtohet vetëm militantëve, por të gjithë shqiptarëve, edhe ndërkombëtarëve, edhe shqiptarëve në diasporë. Zoti Basha që pas datës 9 është kryetar më vete. Zoti Berisha është në kundër sens. Në fjalën time në Këshillin Kombëtar thash që ne duhet të bëjmë një pyetje se përse këto demokratë kanë shkuar në foltoret e zotit Berisha dhe në kryefoltoren e datës 11. Ne duhet të vazhdojmë rrugën e PD për të ardhmen. Demokratët janë të mërzitur për humbjen. Një pjesë e mirë e tyre janë sepse nuk e kanë dashur zotin Basha. Berisha i bëri thirrje SHBA që të heqë vendimin non grata të tij. Në rast se gjykata ia njeh zotit Berisha të ligjshëm kryefoltoren që ka bërë, automatikisht njihet si i ligjshëm dhe referendumi e më pas PD futet në një spirale tjetër. Nëse do e marri PD-në Berisha do të ndërpritet marrëdhënia diplomatike me SHBA-në. Në raport me zotin Berisha zoti Basha nuk ka pengesë përpara. E vetmja pengesë që mund të ketë do të jetë vetvetja. Zoti Basha sfidën e ka që të rrisë PD e ta bashkojë atë. Cila do të jetë taktika, oferta që do të bëjë do të duhet të shohim. Zoti Basha duhet të bëjë për vete elektoratin gri për të marrë pushtetin. Zoti Basha ka avantazh aleatin ndërkombëtar që kanë deklaruar hapur mbështetjen për këtë. E shohin atë si kryeministër të ardhshëm të shqiptarëve”, tha Bejko për News24.
Diskutime rreth kësaj post