Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Roland Bejko ka komentuar dje zhvillimet brenda PD dhe dorëheqjen nga mandati i deputetit i Mark Markut. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës, Bejko theksoi dje se ishte dakord me atë që tha, por jo me atë që bëri Marku Marku, ndërkohë që shtoi se ky i fundit u nxitua dhe nuk duhej të dorëhiqej pasi beteja të tilla duan çuar deri në fund. Sipas tij, PD është aset që duhet përdorur për politikë dhe jo për biznes.
“Kush e do PD dhe ka respekt për demokratët e sakrificat e tyre, duhet që interesi i përgjithshëm të prevalojë mbi atë personal, ose e thënë ndryshe, interesi personal duhet të jetë në koherencë me interesat e përgjithshme të familjes politike. Kjo duhet të fillojë që nga Kryetari, ish-Kryetari dhe të shkojë deri te anëtari më i thjeshtë. Me Partinë Demokratike duhet bërë politikë, dhe jo biznes. Ajo duhet parë si një laborator idesh, mesazhesh, aksione politike dhe jo si një punishte artizanale që prodhon para dhe të mira materiale. Në fakt, profesor Mark Marku s’bëri gjë tjetër, veçse shprehu me zë të lartë atë që shumë të tjerë nga nivelet e larta tek më të ulëtat në PD, e mërmërisin kafeneve, por nuk kanë guxim ta thonë me zë të lartë. Jam dakord përgjithësisht me ato që tha, por jo me atë që bëri Marku, pra jo me dorëheqjen. Beteja të tilla duan çuar deri në fund. Unë vazhdoj të besoj se përpjekjet nga brenda mund të jenë më efikase për demokratizimin e PD-së, se sa kritikat nga jashtë, studiove e gazetave”, shkruan ai.
Më tej demokrati Bejko theksoi se dorëheqjet në politikë tregojnë maturi, por në vende si Shqipëria ato edhe harrohen.
“Dorëheqja në vetvete krijon një lloj sensibilizimi të lartë disaditor, pastaj ngelet thjeshtë si një referencë e një akti fisnik në historinë politike në përgjithësi, ose harrohet fare. Në fakt, me sa kam parë, largimi i tij i ka gëzuar shumë malinjët brenda PD-së, se sa t’i ketë bërë mendjet racionale të mendohen”, nënvizoi Bejko.
Diskutime rreth kësaj post