Një raportim i detajuar që zgjati plot 5 orë, i dha Edi Ramës një panoramë të gjendjes në partinë e tij.Pavarësisht kritikave të drejtpërdrejta që bëri gjatë mbledhjes dhe kërkesës së llogarisë për punët e partisë, në fund të Asamblesë së PS-së, kryeministri doli optimist për fitoren e radhës.
“Pakënaqësia më ka çuar dhe më çon përpara dhe pa pakënaqësi do të thotë se nuk kemi më asgjë për t’i dhënë këtij vendi. Zgjedhjet e ardhshme do të marrim fitore më shembullore. Kanë marrë pjesë aktivisht mbi 55 mijë anëtarë të PS.”
Për momentin Rama nuk bëri ndryshime në strukturat drejtuese të PS-së, duke e lënë për më vonë shfaqjen e skuadrës me 12 lojtarët kryesorë në betejën e ardhshme për parlamentin, por ju përgjigj interesit të medias mbi akuzat që ish zëvendësi i tij, Arben Ahmetaj, bëri nga arratia.
“Qytetarët shqiptarë dinë shumë mirë t’i ndajnë broçkullat nga thelbi. Ka një karakteristikë të përgjithshme të të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë që ndihen viktima të forcave të errëta. PS nuk bën komente mbi komentet e kujtdo që punë me drejtësinë”.
Nuk e fshehu entuziazmin që këtë javë, Tiranën do ta vizitojë Antony Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit që firmosi shpalljen e Sali Berishës non grata.
“Të ndalet në kryeqytetin shqiptar si pikë referimi për rajonin flet në mënyrë të posaçme për ku e kemi ngritur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe se për çfarë përfaqëson sot në sytë e aleatëve tanë strategjikë.”
Socialistët do të kthehen në bazë, në një proces rizgjimi i cili do të kulmojë me një Kongres Zgjedhor në 12 qershor, për të rifreskuar të gjitha forumet drejtuese të partisë. Ndërsa raundi tjetër i raportimit përpara Edi Ramës, do të jetë në 16 mars, në Durrës.
Diskutime rreth kësaj post