Autoritetin Rrugor Shqiptar ka rivendosur tabelat sinjalizuese në zonën e Sarandës, Delvinës, Konispolit, Finiqit e Dropullit, ku dy ditë më parë ishin vendosur në dy gjuhë, shqip dhe greqisht.
Por këtë të mërkurë në rrugë punonjës të ARRSH-së kanë vendosur dy tablea, një në gjuhën shqipe dhe një në greqisht, për minoritetin grek të zonës.
“Kemi ardhur bashkë me deputetin e zonës për të dëshmuar që brenda një periudhe të shkurtër ka filluar vendosja e tabelave të reja në aksin Gjirokastër-Sarandë, tashmë tabelat po zëvendësohen dhe i plotësojnë standardet e kodit rrugor të Shqipërisë dhe specifikimet për rrugët nacionale ku ka zona të minoritetit. Ne do të vijojmë nga puna, janë 33 pika ku do të vendosen tabelat sipas specifikimeve dhe uroj që deri të enjten të ketë përfunduar procesi sipas standardeve. Heqja e tabelave të mëparshme i shërbente kryesisht sigurisë rrugore” deklaroi drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato.
Ato u hoqën nga autoriteti i rrugëve në fundjavë me arsyetimin se janë jashtë standardi. Gjuha e parë në tabelë ishte greqisht dhe e dyta shqip, gjë që në Finiq e mbrojnë me faktin se ligji për minoritetet e lejon këtë duke lënë vend për interpretime.
Por pavarësisht rivendosjes së tabelave, kreu i PBDNJ-së akuzoi sërish qeverinë. Vangjel Dule në një konferencë për mediat tha se “ky akt përben shkelje flagrante të të drejtave të pjesëtareve të Minoritetit Etnik Grek, siç ato burojnë nga Konventa kuadër e Këshillit të Europës, nga legjislacioni i vendit sikurse edhe nga politikat dhe praktikat evropiane”.
Duke akuzuar Ramën se ka qëndrime “hiene natën dhe qingji ditën”, Dule po ashtu pati dhe një kritikë për aleatin e tij në opozitë, Shpëtim Idrizin e PDIU-së.
“Denoncojmë gjuhën e urrejtjes, por edhe të klithmave për përplasje etnike qe u artikuluan publikisht gjatë këtyre ditëve nga individë, grupe apo edhe forca politike dhe i drejtohemi Prokurorisë për shqyrtimin serioz të tyre”, theksoi ai./ Opinion.al
Diskutime rreth kësaj post