Nga Andrea Stefani
Po e fale të keqen është e keqja që nuk të fal kurrsesi! Kjo është ajo që vërehet pas tolerancës skandaloze të demonstruar në këto thuajse 3 vjet nga qeveria e Rilindjes ndaj klanit politik berishist, kryefajtor për krime të përbindshme si “Gërdeci” apo masakra e “21 janarit”. Sepse shohim që klani berishist është hedhur sot në ofensivë në të gjitha drejtimet. Ndërsa Rilindja ka kaluar në mbrojtje! E keqja e ndëshkuar me votë në 23 qershor po përpiqet ta ndëshkojë Rilindjen. Dhe si? Duke e bërë pjesë të saj, sepse e keqja mund të mbijetojë vetëm duke malinjizuar të mirën.
Situata është groteske. Ata (Berisha, Basha e Ko) që kanë bërë krimet jo vetëm më të rënda por edhe më qartësisht të provuara publikisht (si vrasja e protestuesve “live”), sot kanë rrëmbyer flamurin e dekriminializmit duke pretenduar ta pastrojnë politikën, Rilindjen, Parlamentin nga kriminelët! Kriminelët janë kthyer në akuzatorë. Dhe ky është bumerangu i tolerancës ndaj krimit që sot vuan Rilindja.
Një klan politik tejet i kriminalizuar, që për këtë shkak nuk ka qenë kurrë dhe kurrë nuk do të jetë interesuar për një drejtësi të pavarur nga ai vetë, sot është, thuajse fatalisht, jo vetëm një nga partnerët e Rilindjes për realizmin e reformës në drejtësi, por edhe ai që e akuzon Rilindjen se kërkon të kapë drejtësinë. Autokrati me brirë akuzon Rilindjen për autokratizëm! Si në jo pak raste të tjera, Berisha i akuzon kundërshtarët për ato që në fakt janë praktika apo aspirata të tij dhe te këto akuza, në rastin konkret, gjen edhe alibinë për sabotimin e reformës në drejtësi. Është ky bumerangu i tolerancës ndaj të padrejtëve që vuan Rilindja e bashkë me të edhe drejtësia dhe Shqipëria.
Një klan politik që ka qenë pionieri i dhunimit të zgjedhjeve, i bandave, grabitjes dhe blerjes së votave, që në krye të herës në majin e vitit 1996 e deri te grabitja e Bashkisë së Tiranës në 2011, sot është hedhur në ofensivë “në mbrojtje” të zgjedhjeve të lira madje, duke shpallur me forcë se me Rilindjen në qeveri nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Është bumerangu i tolerancës ndaj dhunuesve të zgjedhjeve që vuan Rilindja. Hajdutët klasikë të votës po shpallen mbrojtës unikalë të saj!
Nuk është nevoja të presësh edhe ca vjet Rilindjen për të parë se ç’mund të ndodhë kur toleron të keqen në vend që ta ndëshkosh atë. Sepse është parë në rastin e Fatos Nanos. Edhe ai dje, si Edi Rama sot, ngurroi ta godiste kuçedrën e të keqes që kish dalë e plagosur për vdekje nga marsi i vitit të mbrapshtë ’97. Nuk ja dha goditjen as në 14 shtator 1998 pasi Berisha kreu grushtin e armatosur të shtetit. Dhe ky, në fakt, është krimi më i madh për të cilin mund të akuzohet Fatos Nano. Qe një tolerim fatal që do t’i kushtonte Shqipërisë një kalvar të gjatë konfliktual që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Sepse e risolli të keqen në pushtet.
Kur një delegacion kosovarësh me në krye Ibrahim Rugovën i thanë Presidentit Bill Klinton se do të dëshironin ta shikonin përsëri Sali Berishën në pushtet, Klinton ju përgjigj, me gjuhën e Heraklitit, se uji i lumit nuk mund të kthehej mbrapsht pra, se rikthimi i Berishës në pushteti qe i pamundur. Por Klinton nuk kish parasysh tolerancën e paprinciptë të Fatos Nanos, një tolerancë që e padedikuar ndaj drejtësisë, kishte magjinë të kthente prapa ujërat e lumit. I lënë pa u ndëshkuar, Berisha u rikthye në pushtet në vitin 2005 aq i “ndryshuar “ sa mund të ndryshojë e keqja. Sepse e keqja nuk ndryshon, ajo vetëm kamuflohet. Ishte bërë vetëm më i pasur për t’u bërë akoma më i pasur.
Aji që ndodhi me qeverisjet e Fatos Nanos dje, mund të ndodhë edhe me qeverisjen e Rilindjes sot. Ujërat e “Stiksit” mund të kthehen përsëri. Sepse edhe Rilindja e Ramës është treguar po aq ngurruese në goditjen e të keqes berishiste. Madje edhe më e dobët. Në kohën e Nanos, për shkak se ndodheshim në vigjilje të zhvillimeve në Kosovë, mund të ketë pasur më shumë presion nga ndërkombëtarët që të mos preket Berisha. Sot Kosova është shtet më vete dhe një kontingjencë e tillë, pra edhe një presion i tillë, nuk ekziston.
Atëherë përse ky ngurrim, përse kjo butësi e Rilindjes ndaj atyre që kanë kryer krime të pashembullta si Gërdeci dhe 21 janari? Mungesa e prokurorisë së pavarur, është thjesht një alibi tashmë fort e konsumuar. Duke u shtirur sikur respekton ndarjen institucionale, të drejtësisë nga politike, Rilindja ka respektuar jo vetëm një ndarje që nuk ekziston por edhe, në fakt, padrejtësinë si pandëshkueshmëri. Është fakt se nuk është bërë nga Rilindja pjesa e saj e punës. Për shembull, nuk është akuzuar Berisha për pengimin e hapur që i bëri prokurorisë për marrjen në pyetje të gardistëve menjëherë pas masakrës së 21 janarit. Krimi në fjalë është lehtësisht i provueshëm. Dhe ai prokuror apo gjykatës që do ta nxirrte të pafajshëm Berishën, do evidentonte tradhtinë e tij ndaj drejtësisë.
Por Rilindja nuk i ka ndërmarrë këto hapa që, më e pakta, do të prodhonin fakte dhe argumente për spastrimin e drejtësisë nga prokurorë e gjykatës pa lidhje me të drejtën. Rilindja është mjaftuar të presë, në mënyrën më të mjerë apo utopike ardhjen e drejtësisë nga një reformë që do të kryhet në bashkëpunim me ata që duhet të ndëshkohen nga kjo drejtësi e reformuar!
Është e rëndësishme të kuptohet se përse Rilindja po tregohet kaq e duruar, kaq pasive, kaq tolerante ndaj një klani të kriminalizuar që ka arritur ta kërcënojë deri edhe se do ta rrëzojë nga pushteti edhe përdhunshëm. Në rastin më të mirë, është një besim naiv se po nuk e ngacmove bishën e të keqes edhe ajo mund të të lerë të qeverisësh i qetë. Apo mos kemi të bëjmë me një mungesë karakteriale dedikimi ndaj drejtësisë? Ky do të qe opsioni më i keq. Sepse mungesa e dedikimit ndaj drejtësisë, herët apo vonë, të fut në shtegun e padrejtësisë, të korrupsionit dhe krimit. Në një shteg ku jo vetëm nuk ke më interes ta ndëshkosh të keqen por përkundrazi, të lind interesi të bashkëpunosh me të. Në një moment të caktuar dhe “për të mirën e Atdheut”. Si ca vite më parë Fatos Nano!
DITA
Diskutime rreth kësaj post