Treni i “Swing Marathon” mbërriti sërish në stacionin e Shkodrës pas dy viteve mungesë.Udhëtarë ishin “adhuruesit” e muzikës Jazz që sillnin vitet ’40 – ’50 me veshjet e tyre. “Andrra n’tren” i dedikohet ditës ndërkombëtare të kësaj muzike që në vendin tonë i ka fillesat në vitet ’20 në Shkodër.
“Bukur fort. Ishte vërtet pak i gjatë si udhëtim, por shumë i bukur dhe gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën ndihmojnë shumë kujtesën e ditëve të sotme.”
“Ishte shumë i bukur. Ishte hera ime e parë në fakt edhe ambienti ishte super, organizimi, vajzat e veshura shumë bukur si në vitet ’50. Kemi kënduar, kemi kërcyer, jemi kënaqur pafund.”
“Është diçka ndryshe, del nga përditshmëria dhe është shumë e bukur.”
“Kam ardhur në Shqipëri në vitin 2015. Nusen e kam shqiptare dhe më pëlqen shumë Shqipëria.”
Fotot tradicionale mbi lokomotivë, Banda Frymore e qytetit, Grupimi i Vespave dhe biçikletave dhe parada ishin disa nga detajet e festës, të cilës iu bashkua edhe Kryetari i Bashkisë, Benet Beci.
Benet Beci, kryetar, Bashkia Shkodër: Një energji pozitive, një organizim i shkëlqyer, një iniciativë shumë e mirë. Ka një atmosferë të jashtëzakonshme. Shkodrës çdo lloj aktiviteti i tillë i sjell më shumë energji dhe më shumë gëzim.
Atmosfera vijoi më tej në rrugët e qytetit me performancat e deejay-ve ndërsa si pjesë e dekorit qëndronin makinat dhe objektet retro. Në po të njëjtën kohë u zhvillua edhe spektakli me muzikë jazz në teatrin “Migjeni” duke argëtuar të pranishmit deri në orët e vona të mbrëmjes.
Diskutime rreth kësaj post