Akademiku Artan Fuga ka thënë se emigrantët duhet të votojë aty ku ndodhen ose gjithçka tjetër rreth votës së emigrantëve është hipokrizi.
Artan Fuga shkruan:
“O votë për emigrantët, o gjithçka hipokrizi!
Me emigrantët ka vetëm një qendrim, vetëm një sjellje, vetëm një politikë :
Të sigurohet e drejta e tyre për të votuar atje ku ndodhen!
Të tjerat : qarje oh na dhemb shpirti, o u boshatis Shqipëria!!!, qurravitje : oh ai iku, ti ike, ti mos-ike, e të tjera hipokrizi si këto, oh unë ndejta, ne të mirë, ju të këqinj – idiotizma, me shoqata, ministrira, me shoë, me demonstrata në filxhan me ujë, me kongrese diaporash e me diarrhe rhetorike, nuk kanë pikë vlere!
Emigrantët duhet të votojnë! Tani, këtë radhë! Jo kur të na dojë qejfi ne!
Do shohim pastaj se çfarë impakti pozitiv social, financiar, kombëtar, psikologjik do të krijohet!
Nuk dini ta bëni?
Flisni o gra, o burra, se ka përvoja për këtë! Bëhet lehtë, pa tronditje, pa korrupsion, pa zhvatje, pa blerje vote, pa tarfiqe dhe pa fallcifikime.
Pse ore e kujt është Shqipëria??? Nuk është edhe atyre që anë e mbanë botës si shqiptarë robtohen në punë, përballin namin e keq të vendit të tyre, i bëjnë ballë braktisjes që u bëjnë qeveritë, rrisin fëmijët si shqiptarë, derdhin paratë për prindërit e tyre, kujdesen për të afërmit në Shqipëri, rrinë me kokë në Internet për lajmet nga Shqipëria, që dinë se çfarë është bota përtej propagandave qeveritare të çdo lloji?
Kombet e tjera janë të mençur nuk janë budallenj t’i bien vetes me shqelma!
O pika thuaj!”.
Diskutime rreth kësaj post