Nga: Dritan Hila
I projektuar për disa minuta në godinën e Korpusit të Universitetit, flamuri i Republikës Turke në përvjetorin e saj të shpallur nga Kemal Ataturk, ka ngjallur disa reagime në Tiranë, të cilat u kanë dhënë rastin patriotëve të fejsbukut të shpallin kredon nacionaliste, e cila njëkohësisht tregon frustrimin e tyre.
Sa për korrektesë, projektimi i flamurit të një vendi mik, nuk ka asgje të keqe. Të reagosh në mënyrë reaktive, nuk tregon veçse provincializëm edhe nëse ke grada akademike dhe e mendon veten përçues të mesazhit të Skënderbeut. Duke iu larguar patriotizmit me lahutë e iso, sa për kujtesë, Republika Turke është furnizuesi më i madh me armë dhe logjistikë e ushtrisë shqiptare; shkolluesi i qindra oficerëve të Këmbësorisë, Marinës dhe Aviacionit; investitori i tretë në Shqipëri, shteti që njohu Kosovën menjëherë pas SHBA-së, aleat diplomatik i Shqipërisë në tryezat ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë pretendim territorial mbi hapësirën tonë, përkundrazi. Aty jeton një shifër e papërcaktuar shqiptarësh që varion mes 5-7 milionë dhe që janë në rangjet më të larta të administratës dhe ushtrisë turke. Kaq sa për të përmendur disa.
Shqipëria nuk ka përse të ketë asnjë frustrim nga pushtimi disashekullor otoman, pasi që atëherë ka kaluar më shumë se një shekull dhe për më tepër diplomacia muk është peng i historisë. Nëse do të funksiononte ky koncept folklorik, amerikanët duhet ta kishin bërë pluhur e hi me kohë Britaninë; indianët, folësit më të shumtë në botë të anglishtes, duhet të kishin djegur tekstet; Amerika e Jugut të digjte Spanjën.
Shqiptarët më së fundi duhet të bëhen një komb modern dhe të mos mendojnë me klishe bajate sikur Perandoria e Otomanëve na la pas. Otomanët kanë pas pushtuar për katër shekuj edhe pjesë të Hungarisë, Rumanisë, Serbisë, Greqisë, por asnjë nuk ia vë fajin otomanëve edhe në vitin 2020 për mosarritjet e tyre.
Por duke u kthyer te ditët e sotme: A ka një kanotacion zgjedhor në demonstrimin e flamurit turk në Tiranë. Padyshim që ka. Edi Rama është i sigurt që Turqia ka influencë shpirtërore te një pjesë e elektoratit të besimit islam. Dhe duke qenë në prag zgjedhjesh, nuk ka pse nuk i jep një kënaqësi shpirtërore Ambasadës Turke.
Sa për të qetësuar shpirtërisht filogrekët, Rama sapo ka pranuar shtrirjen 12 milje të Greqisë, fakt që do t’i hapë shumë punë diplomatike Turqisë që të kompensojë tradhtinë tonë.
Është vetëm flamuri i Republikës Turke
Këto paraqitje spektakli si parmbrëmë në Tiranë, janë forma të njohura në shtetet që shkartisin historinë. Sa për kuriozitet, dy vjet më parë, në 2018-ën, Kulla e Ankarasë dhe ura mbi Bosfor, u ndriçuan me ngjyrat e flamurit shqiptar bashkë me urimin për Festën e Pavarësisë dhe po ashtu edhe për Pavarësinë e Kosovës.
Salla e kongreseve në Ankara ishte e mbushur me flamuj shqiptarë dhe kosovarë. A kishte kanotacion elektoral. Patjetër.
Është vetëm flamuri i Republikës Turke
Erdogani në po këtë vit kishte zgjedhje dhe i duhej vota e pasardhësve të shqiptarëve. Për fat asnjë akademik apo politikan turk nuk bërtiti.
Është vetëm flamuri i Republikës Turke
Dhe nëse turbonacionalistët shqiptarë e kanë të vështirë ta pranojnë një flamur turk në Tiranë, le ta hapin mendjen dhe të kuptojnë që turqit nuk e kanë problem të ekspozojnë flamurin e atij që i mundi për 25 vjet me radhë.
Diskutime rreth kësaj post