Thellimi i raportit mes eksporteve dhe importeve në shtator të këtij viti është bërë shkak për rritu nivlein e deficitit tregtar.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se deficiti tregtar i vendit u rrit sërish gjatë muajit shtator. Sipas të dhënave nga Instituti I Statistikave, deficiti preku vlerën e 26.1 miliardë lekëve, vlerë kjo 10.6% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për 9mujorin, deficiti arriti vlerën e afro 246 miliardë lekëve, në rritje me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e deficitit gjatë këtij viti është rezultat i ngërçit të eksporteve dhe kthimit të rritjes së importeve.
Për muajin shtator, eksportet më në fund ju rikthyen rritjes me baza vjetore, ndonëse në përmasa modeste, me 0.6%. Sidoqoftë, ecuria progresive e eksporteve ngelet qartësisht negative. Për 9muaj, Shqipëria eksportoi mallra në vlerën e 177 miliardë lekëve, 4.6% më pak krahasuar me vitin 2015. Rënia i detyrohet kryesisht sektorit minerar, ku eksportet kanë rënë me 37%, por jo vetëm. Në rënie janë edhe grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” apo grupi i makinerive dhe pajisjeve”.
Zhvillimet pozitive në eksporte vijën sidomos nga sektori i fasoneve, që paraqitet në rritje me 20% krahasuar me një vit më parë. Ky sektor është gjithnjë e më shumë kolona e eksporteve shqiptare, me 45% të totalit. Ecuri pozitive këtë po shfaq edhe grupi i produkteve ushqimore, ku eksportet janë në rritje me 22% krahasuar me 9mujorin e vitit të kaluar.
Ndërkohë, importet vijuan rritjen edhe gjatë shtatorit, duke u rritur me 6% kundrejt shtatorit 2016. Për 9mujorin e këtij viti, Shqipëria importoi mallra në vlerën e 422 miliardë lekëve, 7.7% më shumë krahasuar me një vit më parë. Me përjashtim të grupit “minerale, lëndë djegëse, energji”, grupmallrat e tjerë janë të gjithë në rritje, çka tregon se kërkesa e brendshme është në përmirësim dhe mbështet pritshmëritë për një rritje më të lartë ekonomike gjatë këtij viti.
Diskutime rreth kësaj post