Kombëtarja shqiptare humbi 7 pozicione në renditjen e FIFA-s të muajit tetor. Skuadra kuqezi e sheh tashmë veten në vendin e 47 në këtë klasifikim, në kuotën e 619 pikëve.
Humbja me Spanjën për eliminatoret e Botërorit 2018 duket se ka ndikuar ndjeshëm në humbjen e këtyre pozicioneve, edhe pse më parë kombëtarja shqiptare kishte fituar me Lihtenshtejnin. Përsa u përket skuadrave të tjera në grupin tonë kualifikues, Spanja është pikërisht ajo që ka renditjen më të mirë, pasi është në vendin e 10. Italia edhe këtë radhë qëndron në vendin e 13, ndërsa Izraeli ka fituar 19 vende, për t’u pozicionuar i 79. Maqedonia zbriti 9 shkallë në renditjen e FIFA-s dhe e sheh veten në vendin e 155.
Ka fituar pozicione përfaqësuesja e Kosovës edhe pse humbi ndaj Kroacisë dhe Ukrainës. Skuadra e Albert Bunjakut për këtë muaj është e 164 me 135 pikë, 4 shkallë më sipër në krahasim me renditjen e muajit të mëparshëm.
Përsa u përket vendeve të para, Argjentina vazhdon të jetë në krye të renditjes, pavarësisht rezultateve jo të mira të saj në ndeshjet e fundit. Në vendin e dytë është ngjitur Gjermania, e ndjekur nga Brazili që ka fituar një pozicion, ndërkohë që Belgjika zbret në vendin e katërt. Franca dhe Portugalia shkëmbejnë vendet mes tyre. Transalpinët ngjiten në vendin e 7 në klasifikimin e këtij muaji të FIFA-s, ndërsa Portugalia zbret në vendin e 8. /tch
Diskutime rreth kësaj post