Prokuroria e Përgjithshme bëri menjëherë rekurs vendimin e gjykatës, që nuk i dha të drejtë asaj për të sekuestruar të dhënat e serverave të Inspektorit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë dhe ajo e Apelit e kishin rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ngulmon në dhënien e së drejtës për të pasur në dorë serverin, ku ndodhen vetëdeklarimet dhe verifikimet e pasurisë së të gjithë politikanëve dhe zyrtarëve të lartë ndër vite.
Prokuroria e Përgjithshme nisi hetime kryesisht ndaj inspektorit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe kryeinspektorit Shkëlqim Ganaj. Zyrtarisht, sipas prokurorisë, për një periudhë trevjeçare si titullar i institucionit, ai nuk ka denoncuar asnjë rast të konfliktit të interesit të zyrtarëve të lartë, edhe pse raste të tilla dyshohet se ka pasur.
Pas nisjes së hetimeve, Prokuroria sekuestroi një sërë dokumentesh nga ILDKPKI, si dhe të dhëna të ruajtura në serverin qendror. Por këto veprime të Prokurorisë, për efekt të hetimit, janë cilësuar të paligjshme nga gjykatat e Shkallës së Parë dhe Apelit, të cilat pas ankimit të bërë nga Inspektoriati, kanë refuzuar të gjitha vendimet e sekuestrove të dokumentacionit dhe të të dhënave të serverit qendror të ILDKPKI-së, të cilët në total janë 6 të tillë.
Diskutime rreth kësaj post