Kuvendi pritet të miratojë të enjten në seancë plenare përbërjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, i ngritur me me një vendim të parlamentit në fund të sesionit të kaluar. Detyrë e komisionit është hartimi i amendamenteve për ligjin zgjedhor, si dhe trajtimi i rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe ato vendore të vitit 2015.
Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe tjetri nga Partia Demokratike, ndërsa anëtarësia e tij ka përbërje të barabartë mes shumicës dhe pakicës, me nga pesë anëtarë secila. Komisioni do e ushtrojë veprimtarinë për një afat tremujor nga data e mbledhjes së parë të tij.
Tashmë janë bërë publike pothuajse të gjithë emrat me të cilët do të përfaqësohen partitë parlamentare në komision. Shumica parlamentare propozon për bashkëkryetar të komisionit, Bashkim Finon (PS), ndërsa anëtarë deputetët Vasilika Hysi (PS) dhe Ulsi Manja (PS). LSI do të ketë përfaqësues të saj, Petrit Vasilin, kryetar i grupit parlamentar, ndërsa pritet të zyrtarizohet dhe anëtari i PDIU-së.
Opozita parlamentare nga ana e saj do të përfaqësohet me Oerd Bylykbashin (PD), bashkekryetar dhe Arben Ristanin (PD), Eduard Halimin (PD) dhe Gent Strazimiri (PD), anetare. Një vend i opozitës në komision i takon Partisë Republikane, që pritet ta bëjë zyrtare.
Rendi i ditës i seancës së sotme parashikon gjithashtu ratifikimin e dy marrëveshjeve mes qeverisë shqiptare dhe BERZH-t, e para për projektin “Ofrimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin”, si dhe marrëveshja për lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit.
Në rend dite është dhe diskutimi i disa ndryshimeve në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i propozuar nga deputetja e PD-së, Jozefina Topalli.
Diskutime rreth kësaj post