Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ka qenë në qendër të vëmendjes publike, por me ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, bashkë me ligjin e “Vetting”-ut, ai do të jetë kryefjalë për reformën në drejtësi. Dy shoqata të gjyqtarëve renditën 22 nene kushtetuese që, sipas tyre, shkelen haptazi nga ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Pothuajse shkelen të gjitha parimet kushtetuese”, shprehet Erion Bani, i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve.
Gjyqtarët i kërkuan Gjykatës Kushtetuese jo vetëm shpalljen e ligjit antikushtetues, por edhe pezullimin e tij, për shkak se, sipas arsyetimit të tyre, ky ligj sjell pasoja që prekin interesa shtetërore, duke krijuar vakuum institucional, kaos në sistemin e drejtësisë dhe bllokim eventual në dhënien e vendimeve.
Një nga institucionet që preket direkt është Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Kushtetuta përcakton se anëtarët aktualë qëndrojnë në detyrë deri në zgjedhjen e të gjithë anëtarëve të organit të ri, Këshillit të Lartë Gjyqësor, por, sipas gjyqtarëve, me hyrjen në fuqi të ligjit, KLD-së i hiqen kompetencat.
“I ka kufizuar kompetencat për të bërë emërimet, transferimet dhe shkarkimet e kryetarëve të gjykatave, ndërkohë që Kushtetuta nuk e lejon”, shton Bani.
Gjithashtu, gjyqtarët thonë se shkelen disa nene kushtetuese me ndërprerjen e mandatit të kryetarit të Gjykatës së Lartë, si dhe të kryetarëve të gjykatave të vendit, ndërsa gjyqtarëve nuk u njihet e drejta për një proces të drejtë.
“I kufizohet e drejta gjyqtarëve për të pasur akses mbi dosjet e rasteve të procedimeve disiplinore. Nëse kufizohet kjo e drejtë, nuk ke mundësi të mbrohesh”, shpjegon Bani.
Gjyqtarët, të cilët janë palë edhe në ankimimin e ligjit të “vetting”-ut, vunë në dukje se gjatë hartimit dhe miratimit të ligjit për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit, ata u përjashtuan nga konsultimet e komisionit për reformën në drejtësi.
Diskutime rreth kësaj post