Reforma Territoriale, Zgjedhore, por edhe ndryshimet Kushtetuese janë disa nga shtyllat e aksionit opozitar që ka shpallur Lulzim Basha në nisje të legjislaturës së re të Kuvendit që nisi pak javë më parë. Për ndryshimet duhet konsensusi dhe votat e shumicës socialiste, por a është gati PS që të ulet në tryezë?
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri u shpreh se është gati që të ulet në tryezën e dialogut me opozitën, por i kërkoi PD-së që të mos vendosë kushte.
“Së pari nuk jam emëruar, nuk kam autorizim zyrtar (nga PS) por në pozicionin që jam kam mbajtur qëndrimin zyrtar edhe në takimin me ODHIR, ne jemi gati të ulemi me opozitën. Nuk zhvillohen negociatat që secili të vijë me listën e tyre të dëshirave.
Ne jemi gati, nëse kërkojnë. Psh dëgjova kryetarin e opozitës që tha shumë shpejt do paraqesim kërkesë për komision. E presim kërkesën nga PD, ne jemi gati të negociojmë” tha ai për Reformën Territoriale.
Por atë Zgjedhore? “Elektoralja ka rekomandime për t’u adresuar. Mendoj që është normale që të iniciohet nga opozita, pasi tradita politike ka qenë, që është opozita që inicion kërkesën. Megjithatë ne jemi gati ta ngrejë mbi parimet e bipartizanizmit” tha ai.
Negociatat pritet që të zhvillohen në një situatë mosbesimi, referuar akuzave nga opozita, por Gjiknuri thotë se “Kundërshtarin nuk e zgjedh dot, thjesht duhet të bashkëpunosh, je i detyruar të ulesh, nuk duhet të vish me kushte. Le të vijë në komision për të adresuar rekomandimet” tha ai. “Nëse duan të ndryshojnë Kushtetutën ky është një proces shumë i komplikuar. Ne do të ulemi pa kushte” tha më tej ai.
Por në krahun tjetër është shumica që kërkon votat e opozitës për të ndryshuar Kushtetutën për zgjatjen e afatit të komisioneve të vettingut. “Ne na duhen votat e atyre, atyre tonat. Reforma në drejtësi është përtej palëve nuk është ligj i karakterit politik. Shtyrjen nuk e kërkon shumica. Është një çështje që ka dalë për shkak të ecurisë së procesit që u mendua se do të ishte më e shkurtër” përfundoi ai.
Diskutime rreth kësaj post