Reforma në drejtësi vijon të mbetet peng i debatit politik. Drafti, që po shqyrtohet nga ekspertët e drejtësisë, të përzgjedhur nga palët politike nuk po gjen ende konsensusin e palëve.
Sipas kalendarit paraprak, drafti i plotë i përpiluar nga ekspertët me sugjerimet e Komisionit të Venecias duhet të finalizohet sot dhe nesër t’i depozitohet Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi në Kuvend. “Drafti do të dorëzohet të martën në Komisionin e posaçëm për Reformën në Drejtësi. Nëse ekspertët nuk gjejnë dakordësinë mes tyre, atëherë nenet përkatëse do të lihen të hapura me dy alternativa dhe do të jetë Komisioni në fjalë, që do t’i jap zgjidhje”, tha Kreu i Grupit të Ekspertëve ditën e shtunë, kur gjërat duket se po vijonin drejt një mirëkuptimi paraprak mes palëve.
Por, të dielën gjërat ndryshuan dhe ekspertët e opozitës, dhe më konkretisht të Partisë Demokratike u tërhoqën me argumentin se drafti që po përpilohet është larg sugjerimeve të Komisionit të Venecias, teksa sot pritet një mbledhje tjetër e ekspertëve për t’i vënë pikat mbi “i” draftit në fjalë .
Gazmend Bardhi, ekspert i Partisë Demokratike, mëngjesin e së hënës gjatë një prononcimi për mediat u shpreh se problem mbetet fakti se mazhoranca kërkon të kap politikisht drejtësinë. “Një nga kërkesat është garantimi i moskapjes politike të reformës. Komisioni i Venecias e ka vënë në diskutim këtë çështje, (zgjedhjen me 3/5) duke u shprehur se në kushtet politike në Shqipëri, nuk garantohet pluraliteti brenda këtyre organeve. Dhe rekomandojnë të gjenden zgjidhjet e duhura. Qëllimi i mazhorancës është që të dalim me dy drafte. Po nëse bëhet fjalë për dy drafte atëherë pse të bëhet një mbledhje e përbashkët, kur secili mund të punojë më vete për hartimin e draftit. Kjo nuk është ajo për të cilën po përpiqemi. Puna jonë si ekspertë është të ulemi të diskutojmë për të gjetur një zgjidhje, dhe të mos qëndrojmë stoikë në vendimet tona”, u shpreh eksperti i PD-së.
Bardhi gjatë një interviste për një media audio-vizive, tha se “PD po diskuton edhe një mundësi tjetër të thirrjes së votës së publikut për këtë çështje, e cila do të vendos mbi fatin e reformës në drejtësi dhe draftit në fjalë. Ai tha gjithashtu se “nxitimi” për realizimin e kësaj reforme brenda janarit apo shkurtit nuk është sërish një zgjedhje politike dhe jo kusht i Venecias apo partnerëve.
Tashmë, pritet të mblidhet sërish grupi i ekspertëve për reformën në drejtësi, të cilët do të shqyrtojnë dhe detajet e fundit përpara se ky draft t’i kalojë në duar Komisionit Parlamentar të ngritur për këtë çështje.
Siç mësohet nga burime pranë ekspertëve, në një kohë rekord edhe komisioni parlamentar duhet ta kalojë për shqyrtim për ta dërguar brenda dy ditësh në Komisionin e Venecias. Më pas, do të jenë ekspertët e Venecias që do të japin mendimin e tyre përmes një përgjigjeje që ata do ta kthejnë përmes vizitës së tyre në Tiranë në datën 21 janar. Kjo është rruga që do të ndiqet nga sot për reformën në drejtësi. Realizimi i reformës në drejtësi brenda marsit do t’i jepte Shqipërisë një mundësi të artë për të çelur sa më shpejtë negociatat me Bashkimin Europian, në udhën e vendit tonë drejt integrimit të plotë në familjen e madhe europiane.
Diskutime rreth kësaj post