Reforma në drejtësi – Meta: Duhet të ruhet Kushtetuta në parimet e saj themelore
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, përsëriti sot thirrjen për dialog politik për reformën në drejtësi, duke kërkuar dhe nga mazhoranca që të mos e shohë këtë reformë, si kartë elektorale.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim(LSI), kritikoi dhe sistemin aktual zgjedhor, duke hedhur idenë e rikthimit të listave të hapura, në mënyrë që çdo votë të jetë e përfaqësuar.
Pasi raporterët e Komisionit të Venecias ia lanë në dorë politikës shqiptare të hyjë në negociata për reformën në drejtësi, kreu i Kuvendit Ilir Meta forcoi apelin për bashkëpunim politik për finalizimin e saj.
I ftuar mëngjesin e sotëm në televizionin News 24, kryeparlamentari nuk kurseu thirrjen edhe për maxhorancën, që ketë reformë të mos e shohë si kartë elektorale, por edhe ndaj opozitës që të jetë konstruktive.
“Reforma nuk duhet parë si mundësi për konflikte, pasi dialogu duhet jo vetëm për të mbyllur reformën, por na duhet edhe pas miratimit të saj. Nuk do jetë e pamundur të mos çelen negocitatat, nëse ne nuk ruajmë dialogun politik. Besoj se të gjithë duhet të jemi më të përgjegjshëm në mënyrë që ne si maxhorancë të mos e shohim thjesht si një kartë elektorale”, u shpreh kreu i Kuvend.
Meta këmbëngul se LSI do të përpiqet të realizojë reformën, e cila sipas tij, duhet të shtojë llogaridhënien edhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që duhet të testohen.
Sa i takon reformës zgjedhore, Meta kërkoi ndryshim të sistemit zgjedhor, përmes rikthimit të listave të hapura.
“Vota e qytetarit nuk është e barabartë. Edhe rajonet janë me dallime të mëdha, shumë vota mbeten të papërfaqësuara dhe ky është një problem i madh. Duhet të kishim lista të hapura. Partitë kanë të drejtë të rendisin kandidatët, por qytetarët kanë të drejtë të japin preferencën e tyre brenda partisë. Qytetarët të mos jenë të detyruar të votojnë partinë, por të jenë të lirë të zgjedhin edhe brenda një force politike’, theksoi kreu i Kuvendit.
Sa i takon deklaratave kritike të Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama ndaj raportit të FMN-së, Meta tha se ato nuk ishin qëndrim zyrtar i LSI-së.
“Nuk ka qënë qëndrim zyrtar i LSI-së. FMN ka ca kërkesa të hidhura, si ilaçet që të jep doktori.Rritja e borxhit mund ta nxjerrë ekonominë jashtë sistemit dhe pasojat mund të jenë të mëdha. Ne shqetësimet e FMN-së duhet t’i kemi parasysh, si maxhoranca dhe opozita”, nënvizoi Meta
Diskutime rreth kësaj post