Ekspertët do të mblidhen sërish sot për të diskutuar rreth rekomandimeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi që pritet të jetë i përfunduar brenda datës 12 janar. Sipas burimeve ekspertët e të gjitha palëve do të mblidhen në orën 12:00.
Nga diskutimet e një ditë më parë, u bë e ditur se u identifikuan çështjet që më së shumti i ndajnë. Ndër to, veçohet përbërja dhe shumica e cilësuar e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë.
Gent Ibrahimi, një nga ekspertët e nivelit të lartë gjatë një prononcimi për mediet të shtunën, identifikoi disa nga çështjet ku nuk ka dakordësi në parim për zgjidhje.
“Po, ka disa momente. Formula e përzgjedhjes dhe emërimit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, formula e përzgjedhjes dhe emërimit të këshillave gjyqësore dhe prokurorialë, çështje që kanë të bëjnë me mënyrën e krijimit dhe organizimit të njësisë së posaçme antikorrupsion. Shumica e cilësuar është një tjetër çështje, në lidhje me të cilën kemi pozicione të kundërta. Do të përpiqemi të gjejmë një të përbashkët, përndryshe si gjithmonë me dy opsione”, deklaroi Ibrahimi.
Nëse palët gjejnë gjuhën e përbashkët drafti do t’i dërgohet të martën, në datën 12 janar Komisionit të Venecias.
Diskutime rreth kësaj post