Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, ka bërë me dije se në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale”, ka ngritur si shqetësim domosdoshmërinë për të organizuar dëgjesa me qytetarët.
Me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, Xhixho ka sqaruar se ka propozuar që pjesë e dëgjesave të jenë vetë qytetarët. Ajo ka shtuar se duhet gjetur një mekanizëm që ata që vuajnë çdo ditë mungesën e reformës, të thonë fjalën e tyre.
Postimi i plotë:
“Në mbledhjen e radhës të Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë, ngrita si shqetësim domosdoshmërinë e dëgjesave me qytetarët.
Do kisha pritur që ky komision të ngrihej që në shtator, në fillim të legjislaturës, pasi kjo është një reformë që kërkon kohë dhe ekspertizë.
Projektimi i asaj që kërkojmë të arrijmë në shërbimet ndaj qytetarëve nuk mund të bëhet ndryshe përveçse duke e parë reformën si jetike për ta.
Mendoj që hapi i parë është të analizojmë implementimin e reformës së 2014-s, e cila ka çeduar dhe dështuar në shumë momente, ndryshe nuk do të ishim këtu sot.
Dhe momenti i dytë: të projektojmë një reformë që e ndërmarrin jo thjesht për hir të të pasurit të saj, por me qëllimin kryesor, për t’u dhënë zgjidhje shqetësimeve të qytetarëve dhe shërbimeve që ata duhet marrin nga pushteti lokal.
Ndaj propozova që pjesë e këtyre dëgjesave të jenë vetë qytetarët, pra le të gjejmë një mekanizëm, me të cilin, ata që vuajnë çdo ditë dështimin e kësaj reforme, të vijnë e ta thonë fjalën e tyre këtu, sepse në radhë të parë, ky është Parlamenti i shqiptarëve.”-shkruan Xhixho.
Diskutime rreth kësaj post