Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar për rastin e inspektorit të policisë Redin Çaushaj i cili u plagos rëndë mbrëmjen e djeshme.
Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Balla thotë se Redini po lufton me jetën në Reanimacionin e spitalit të Vlorës, si shkak i ndërhyrjes së tij edhe jashtë detyrës për të zgjidhur një sherr mes dy personave në atë zonë.
Më tej, ministri i kërkon Prokurorisë së Vlorës një hetim të plotë mbi ngjarjen, duke shtuar se kushdo që cenon jetën e një punonjësi policie kryen një krim të rëndë ndaj shtetit.
“Prej mbrëmë, pak para mesnate, një nga djemtë e rinj dhe të përkushtuar të Policisë së Komisariatit Himarë, Redin Çaushaj, po lufton për jetën në Reanimacionin e Spitalit të Vlorës. Mjekët dhe infermieret e këtij spitali kanë bërë më të mirën dhe gjendja shëndetësore e Redianit, edhe pse vazhdon e rëndë, po shfaq përmirësime dhe paraqitet e stabilizuar në parametrat jetikë për momentin. Redin Çaushaj mban detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit dhe dje edhe pse jashtë orarit të shërbimit është përpjekur të bëjë detyrën duke ndërhyrë për shuarjen e një konflikti mes dy shtetasve, siç jam informuar menjëherë mbrëmë nga Drejtori i Përgjithshëm.
Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, njëri nga shtetasit e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori i këtij krimi është arrestuar sot në të gdhirë nga forcat tona të Policisë së Shtetit dhe pres nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndërshkim të ashpër për fajtorin. Kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit. Do të flas në një moment të dytë sot për këtë çështje. Redini do të vazhdojë të qëndrojë në Reanimacioin e Spitalit Vlorë, pas konsultimit që patëm me mjekët dhe drejtuesit e Spitalit”, thotë Balla.
Diskutime rreth kësaj post