Rezultat maksimal me sforcon më minimale të mundshme. Në International Stadium të Yokohamas në gjysmëfinalen e dytë të Botërorit të Klubeve, Reali i Madridit mposhti me rezultatin 2-0 meksikanët e Club Americas, duke arritur kështu të kualifikohet në finalen e madhe të kompeticioni. Minutat shtesë të të dyja pjesëve ishin vrastare për klubin nga Meksiko City sepse golat e fitores së Realit u realizuan në limitet e cdo fraksioni loje. Karim Benzema zhbllokoi shifrat në fundin e pjesës së parë duke i hapur rrugën fitores së Los Blancos, ndërsa goli i Ronaldos në të 93-tën u akordua falë ndihmës së moviolës në fushë, për të zeruar kështu një pozicion inekzistent jashtë loje të dhënë nga gjyqtari anësor.
Sistemi Video Asistent Referee po përdoret për herë të parë pikërisht në Botërorin e Klubeve dhe deri tani po jep rezultat. Publik i shumtë në shkallët e stadiumit por pak emocione në Yokohama. Reali i Madridit ia doli të fitonte pa shpenzuar shumë energji, në një ndeshje ku rastet për gol numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Në pjesën e parë për t’u përmendur vetëm shtylla e Cristiano Ronaldos në të 26-n dhe goli i avantazhit i realizuar nga bomberi francez Karim Benzema në minutën e dytë shtesë. Finalizim shumë i bukur ai i ish-sulmuesit të Lyonit. Për të vulosur fitoren e madrilenëve mendoi fituesi i “Topit të Artë” me Ronaldon që shfrytëzoi një asist të James Rodriguez për të mposhtur sërish portierin e Club Americas. Gjyqtari paraguaian Caceres fillimisht e akordoi të rregullt golin e portugezit, ndërsa më pas anulloi, duke e cilësuar sërish si të rregullt pas përdorimit të moviolës. Në finalen e të Dielës, Reali i Madridit do të ketë përballë skuadrën japoneze të Kashima Antlers.
Diskutime rreth kësaj post