Ivan Gentile, shefi i repartit të sëmundjeve Infektive në poliklinikën Università Federico II të Napolit në Itali, ndodhet në spital i shtruar, pasi është prekur nga koronavirusi.
Ai thotë se është treguar i kujdesshëm gjatë punës së tij dhe se nuk e di se si e ka marrë virusin.
“Me siguri virusi është në qarkullim në ajër. Sot të rrezikuar janë edhe ata që nuk kanë qenë në zonat e kuqe. Duhet të kuptojmë se virusi tashmë, mund të qarkullojë në të gjitha ambientet”, thotë Gentile në një intervistë për mediat italiane.
Ai shton se distanca prej një metër është e mjaftueshme për pjesën më të madhe të njerëzve, të paktën nëse nuk takon një super shpërndarës.
Gentile tregon se të shtunën e kaluar kuptoi se ishte prekur nga virusi i rrezikshëm, pasi ndihej i dobët dhe kishte temperaturë dhe më tej tamponi zbuloi se ishte prekur nga virusi.
“Nuk doja ta besoja! Vetëm të mërkurën u inaugurua reparti anti Covid-19, pa mua. Sapo tamponi të rezultojë negativ, do të kthehem menjëherë në punë”, thotë ai.
Shefi i repartit Infektiv, iu bën thirrje qytetarëve që të rrinë në shtëpi dhe të shmangin çdo kontakt, teksa shtojnë, “Është e vështirë, por është mënyra e vetme”.
Diskutime rreth kësaj post