Inxhinierja Luljeta Bozo ka pohuar se deklarata e saj disa ditë më parë, lidhur me komunizmin dhe figurën e Enver Hoxhës është shtrembëruar për qëllime politike.
Gjatë një interviste për “Java news”, ajo është shprehur ndër të tjera se diktaturën komuniste e dënon me forcë dhe padyshim që Enver Hoxha ishte diktator.
Por Bozo cilëson se ata që kapen pas Enverit për të sulmuar të tjerët bëhen zëdhënës të së keqes së asaj diktature.
“Unë kam një jetë të jetuar me parimet e me punën time dhe bindjet e mia as nuk i kam negociuar, as kam ndërmend t’i negocioj në këtë moshë me askënd! Për më tepër nuk kam ndërmend të merrem me ata që merren me shtrembërimin e fjalëve te mia, për qëllime të rëndomta politike. Diktaturën komuniste e dënoj me forcë dhe Enver Hoxha padyshim ishte një diktator. Por refuzimi i çdo relativizimi të krimeve të diktaturës, nuk më pengon dot të vlerësoj me respekt shkencëtarët dhe profesionistët e asaj kohe dhe gjithë popullin e thjeshtë që kanë punuar me ndershmëri. Pafuqia për të mos e parë atë kohë vetëm bardhezi është sindromë e sërvilëve apo spiunëve të atëhershëm, që janë “xhelatët” e mendimit ndryshe të këtyre 30 vjeteve. Kush kapet pas Enverit për të sulmuar të tjerët është në fakt një zëdhënës i pavetëdijshëm i së keqes së asaj diktature. Ata që shajnë, akuzojnë dhe shtrembërojnë njësoj si xhelatët e mendimit ndryshe asokohe. Ekstremet përputhen dhe më kujtohet Vaclav Haveli që thotë: Komunisti më i zi është komunisti antikomunist! Kam vetëm keqardhje për ta”, u shpreh Bozo.
Diskutime rreth kësaj post