Raporti i fundit i shoqatës “Together for Life” mbi analizën e shpenzimeve të buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) identifikoi rolin e zbehur të sferës së shëndetësisë në financimet e qeverisë, zhvendosje të pajustifikuara të prioriteteve në zërat buxhetorë, si edhe probleme me konsolidimin dhe transparencën e të dhënave financiare nga MSHMS.
Një raport i publikuar nga shoqata ‘Together for Life’ në muajin qershor pasqyron monitorimin e shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale përgjatë vitit që lamë pas.
Analiza e ekspertëve evidenton se në raport më shpenzimet e përgjithshme publike, buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në Shqipëri shënon rënie me 11.3%, ku evidentohet niveli më i ulët i këtij buxheti që prej vitit 2017.
“Ulja me gati 1 pikë përqindje të shpenzimeve të fushës së shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale dëshmon që prioritetet e qeverisë janë zhvendosur në fusha të tjera”, citon raporti, duke theksuar se kjo rrjedhimisht përkthehet dhe në pagesa të larta nga xhepat e qytetarëve shqiptarë për shëndetin e tyre.
“Sikurse raportohen në të dhënat zyrtare, shpenzimet e xhepit të Shqiptarëve për shëndetin rezultojnë më të larta në rajon me një nivel prej 59.7% për vitin 2021”, shtoi raporti.
Në krahasim me vendet e rajonit, shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë më të ulëtat në Ballkan, me mesatarisht 10.1% përgjatë periudhës 2016-2021.
Buxheti fillestar i ndarë për vitin 2023 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) ishte në masën 78.04 miliardë lekë.
Programet e miratuara për ndarjen e fondeve të buxhetit në 2023 janë specifikisht ato lidhur me planifikimin menaxhim-adminstrim, shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor, atij dytësor, shërbime të kujdesit publik, përkujdesja social, si edhe rehabilitimi i të përndjekurve politikë.
Analiza e raportit gjithashtu synon të paraqesë devijancat e planit buxhetor dhe arsyet që fshihen pas tyre.
“Devijancat e planit buxhetor fillestar të ndarë për vitin 2023 arrijnë shumën 693.4 milionë lekë më pak krahasuar me buxhetin fillestar dhe konsistojnë në një zhvendosje të burimeve financiare nga politikat shëndetësore në ato të mbrojtjes sociale”, shkruajnë ekspertët e raportit
Sipas raportit, vërehen gjithashtu zhvendosje të pajustifikuara të prioriteteve, nga projektet për investime në infrastrukturë në programin ‘Shërbime të kujdesit parësor’, tek ato për furnizim dhe vendosje pajisjesh.
Raporti i ‘Together for Life’ gjithashtu nënvizon nevojën për një transparencë të rritur lidhur me shpenzimet buxhetorë të MSHMS.
“Cilësia e raporteve të publikuara të monitorimit vazhdon të jetë e dobët duke u shoqëruar me një mungesë të theksuar transparence në përdorimin e fondeve buxhetore”, përfundon raporti./BIRN
Diskutime rreth kësaj post