Raporti i Freedom House, edhe sivjet, e radhit Shqipërinë mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën nga rajoni dhe me Pakistanin, Ukrainën, Kirgizinë, Armeninë e të tjera nga bota.
Serbia, në raportin e vitit të kaluar, ka qenë në mesin e vendeve të lira, por ka rënë në kategorinë “pjesërisht e lirë”, për shkak të, siç thuhet, parregullsive zgjedhore, sulmeve ndaj gazetarëve të pavarur dhe mbledhjes de facto të kompetencave jashtëkushtetuese nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiç.
Te pjesa për rajonin e Ballkanit, raporti i Freedom House tërheq vërejtjen në veçanti për Malin e Zi, ku, siç thuhet, presidenti Millo Gjukanoviç ka vazhduar ta konsolidojë pushtetin shtetëror rreth vetes dhe klikës së tij, duke i shmangur standardet themelore të qeverisjes së mirë dhe duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.
Te pjesa për Evropën në përgjithësi, Freedom House thekson se dhuna ka arritur shtypin në Sllovaki, ku gazetari hulumtues, Jan Kuciak, është qëlluar për vdekje, pasi ka zbuluar lidhje korrupsioni midis zyrtarëve qeveritarë dhe krimit të organizuar.
Në Turqi, thuhet në raport, zgjedhjet e njëpasnjëshme parlamentare dhe presidenciale janë zhvilluar nën gjendje të jashtëzakonshme, e cila është hequr më vonë, porse autoritetet “kanë vazhduar të angazhohen në spastrimet e institucioneve shtetërore dhe arrestimet e gazetarëve, anëtarëve të shoqërisë civile dhe akademikëve”.
“Vladimir Putin i Rusisë dhe Ilham Aliyev i Azerbajxhanit i kanë siguruar mandatet e reja presidenciale, duke përfituar nga taktikat me duar të fuqishme, përfshirë shtypjen e mediave të pavarura dhe të shoqërisë civile, abuzimin e burimeve shtetërore dhe persekutimin e kundërshtarëve të mirëfilltë politikë”, thotë, mes tjerash, Freedom House në pjesën për Euroazinë.
Nga 195 vendet e vlerësuara nga Freedom House, 86 janë të lira, 59 pjesërisht të lira dhe 50 jo të lira.
Në grupin e parë bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar e të tjera, ndërsa në fund të listës, më së paku të lira janë: Siria, Sudani Jugor, Eritrea, Turkmenistani dhe Koreja e Veriut./REL/
Diskutime rreth kësaj post