Problemet më të mëdha në Shqipëri janë korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë, por veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe të shërbimit shëndetësor, dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave. Ky është vlerësimi që jep raporti vjetor i Departamentit amerikane të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut, i bërë publik të mërkurën.
Pandëshkueshmëria është një prej problemeve të tjera me të cilat përballet Shqipëria, sipas raportit. “Ndjekjet ligjore dhe sidomos dënimet e zyrtarëve që kanë kryer shkelje kanë mbetur sporadike dhe të paqëndrueshme. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me lidhje të fuqishme biznesi shpesh kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes penale,” nënvizon raporti. Qeveria filloi hetimet për disa zyrtarë të nivelit të lartë, por prokuroria më pas vendosi t’i pushojë këto çështje”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë.
Si probleme të tjera shqetësuese për Shqipërinë përmenden dhuna e ushtruar nga policia dhe keqtrajtimi i të dyshuarve gjatë periudhës kur ata mbahen të ndaluar dhe merren në pyetje; po ashtu evidentohen rastet e mbajtjes për një kohë të gjatë të të pandehurve në qendrat e ndalimit, pa u ngritur akuzat, si dhe kushtet jo normale nëpër burgje.
Një tjetër problem i Shqipërisë përsa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut, përmendet përparimi i vogël që është bërë për kthimin e pronës së shtetëzuar gjatë periudhës komuniste.
Në raport po ashtu përmendet keqtrajtimi i fëmijëve, martesat në moshë jo madhore, fëmijët që jetojnë nëpër rrugë, në veçanti ata të komunitetit rom.
Në raport përmendet fakti që Shqipëria vazhdon të jetë burim dhe destinacion i trafikimit të qënieve njerëzore për shfrytëzim seksual dhe për punë të detyruar.
Diskriminimi dhe keqtrajtimi i komuniteteve të romëve dhe egjiptianëve të Ballkanit, diskriminimi bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, ishin disa probleme të tjera të evidentuara në kapitullin për Shqipërinë.
Për çështjen e lirisë së shtypit, në raport thuhet se kushtetuta e vendit siguron lirinë e fjalës dhe të shtypit dhe se qeveria në përgjithësi i mbështet këto të drejta, por ka patur njoftime se qeveria, qarqet e biznesit dhe grupet kriminale janë përpjekur të ndikojnë tek shtypi në mënyra të papërshtatshme.
Probleme të tjera sipas DASH-it janë dhuna dhe metodat e trajtimit të personave të shoqëruar, arrestuar apo marrë në pyetje. Sipas raportit, autoritetet shkelin në disa raste të drejtat e njeriut kur marrin në pyetje të akuzuar apo të dyshuar për krime të ndryshme.
Gjithashtu, janë vënë re raste të mbajtjes nën arrest të personave pa asnjë bazë akuze. Problem mbeten edhe kushtet në burgje. Qeveria, shkruan DASH, ka bërë pak sa i përket çështjes së pronave të bllokuara nga diktatura komuniste. Ka ende zvarritje dhe shkelje në këtë drejtim.
Gjithashtu, numërohen raste të shumta të martesave me detyrim; ka shumë fëmijë që detyrohen të lypin në rrugë, sidomos nga komuniteti rom. Shqipëria vazhdon të jetë një burim dhe destinacion për trafikimin e fëmijëve dhe grave, për qëllime seksi dhe pune.
“Margjinalizimi dhe abuzimi me romët dhe egjiptianët është problem serioz. Përmendim këtu edhe shembjen e vendbanimeve të tyre pa asnjë bazë ligjore”, shkruan DASH. Gjithashtu, raporti vëren edhe punë të pakët në garantimin e të drejtave të komuniteteve LGBT.
Sa i përket punës, ka ende shumë për të bërë në garantimin e kushteve të saj. Ka fëmijë që shfrytëzohen për punë, siguracionet nuk paguhen dhe puna në të zezë ndëshkohet rrallë. Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz. Procedimi i personave që kanë kryer vepra penale vazhdon të mbetet arbitrar.
Zyrtarë, politikanë, gjykatës dhe biznesmenë u shpëtojnë procedimeve dhe nuk marrin dënimet që u takojnë për krimet që kryejnë. “Deri më tani janë vërejtur raste të dënimit të zyrtarëve të vegjël, ndërsa të mëdhenjtë u kanë shpëtuar gjykimit dhe dënimit për shkelje të ndryshme”, përfundon raporti.
Diskutime rreth kësaj post