Teksa çdo ditë hidhen replika dhe kundër replika për kultivimin e lëndës narkotike kanabis sativa në Shqipëri, “Shekulli” posedon një tjetër material shtesë të raportit sekret. Rreth një muaj e gjysmë më parë u publikuan 363 zonat ku mbillej lënda narkotike kanabis sativa, ndërsa në dokumentin “Top secret” tregohet mënyra se si autoritetet italo-gjermane kanë rënë në gjurmët e këtij fakti. Në këtë material, tregohet qartë se si autoritetet italiane kanë sinjalizuar ministrinë tonë të Brendshme për kultivimin e bimëve narkotike në territorin shqiptar. Ndërsa në material, këto autoritete kanë theksuar bindshëm implikimin e punonjësve të policisë në kultivimin e kanabisit, deri tek ata që mbajnë edhe poste drejtues. Më shqetësues për ta, është implikimi i dy baxhanakëve, që mbajnë poste drejtuese në policitë e qarqeve, të cilët lejojnë trafikimin e drogës në Greqi dhe Itali.
Dy kryepolicët
Një shqetësim i veçantë është rasti i dy drejtorëve të policisë së 2 qarqeve kufitare, që mbajnë edhe sipërfaqet ndër më të mëdha për kultivimin e bimës narkotike të cilët me njëri-tjetrin kanë lidhje familjare (janë baxhanakë) si dhe lidhje të afërta në ministrinë e Brendshme. Këto zona janë bërë problematike për kalimin e drogave drejt Greqisë dhe Italisë. Raporti thekson se me urdhër të këtyre drejtuesve, policë të ndryshëm, janë të përfshirë në këtë aktivitet shumë fitimprurës për ta. Shqetësues në këtë raport është fakti i ndarjes së shumave të mëdha midis drejtuesve të policisë në Qarqe me kultivuesit dhe trafikantët, ku dhe policët e thjeshtë kanë pjesën e tyre. Ky shqetësim është ngritur dhe nga DEA amerikane kohët e fundit, e cila tashmë ka filluar ta shikojë me shqetësim përhapjen e shpejtë dhe masive të këtij fenomeni në Shqipëri, duke e parë këtë vend si një nga vendet kryesore të prodhimit dhe të eksportimit në Europë të kanabis sativa. Shqetësim tjetër për ta është fakti i lidhjes së trafikantëve shqiptarë me drejtues të policisë apo dhe politikanë të ndryshëm.
Operacionet
Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë operacionet në terren i kanë ndjekur edhe përfaqësues të lartë të policisë italiane, të cilët kishin
dyshuar se informacionet e tyre nuk ishin marrë për bazë dhe se ishin hedhur poshtë nga drejtues lokalë të policisë shqiptare dhe se, në mjaft
raste ishin dekonspiruar. Nga informacionet e marra në rrugë operative nga të ndaluarit dhe të arrestuarit gjatë kohëve të fundit në disa vende
të Europës, institucionet ligjzbatuese italiane dhe ato gjermane kanë marrë informacione, për një formë që drejtues të ndryshëm të policisë
përdorin për të mbrojtur kultivuesit dhe trafikantët e bimës narkotike kanabis-sativa.
Diskutime rreth kësaj post