“Tani jam i lirë. Është refuzuar kërkesa për ekstradimin tim në Serbi. Shpresoj që do të kthehem sot në Kosovë. Tani do të shkoj për të marrë pasaportën në Strasburg, pasi ka ende disa procedura të vogla”.
Për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj kjo është fitore e të gjithë shqiptarëve. Gjykata franceze e Kolmarit e hodhi poshtë kërkesën serbe për ekstradimin e ish-komandantit të UÇK-së për zonën e Dukagjinit, të cilin Prokuroria Serbe e akuzonte për krime lufte. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mbahej në Francë në liri me kusht prej 4 muajsh, pasi u arrestua në aeroportin e Bazelit mbi bazën e një fletë-arresti serb të vitit 2004.
Para selisë së AAK-së në Prishtinë, vendimi është pritur me fishekzjarre, ndërsa raportohet se festa jashtë në rrugët e kryeqytetit kosovar është shoqëruar edhe me të shtëna armësh. I pari që reagoi ishte Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se ky ishte një lajm i mirë për Kosovën sepse edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike.
Sipas qeverisë së Kosovës, fletarrestet serbe kundër tij dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta.
Haradinaj pritet të kthehet në Prishtinë sot, rreth orës 19:00 dhe deputetët e partisë së tij kanë bërë thirrje për pritje masive.
Diskutime rreth kësaj post