Kryeministri Edi Rama i kërkoi opozitës që të dalë nga çadra, pasi sipas tij nuk ka për të ardhur ndonjëherë ftesa për qeveri teknike dhe as oferta për shtyrjen e zgjedhjeve.
Rama: Çadra e ngritur mes bulevardit si kështjellë rëre për t’u mbrojtur nga humbja e lirisë pas zbatimit të Vettingut dhe humbja e zgjedhjeve pas fushatës, di vetëm atë çfarë nuk do dhe pret atë që nuk do të vijë ndonjëherë. Nuk ka për të ardhur ndonjëherë lajmi: Vettingu nuk do të bëhet kurrë, prandaj dilni. S’ka për të ardhur ndonjëherë ftesa për qeveri teknike, prandaj kthehuni, s’ka për të ardhur ndonjëherë oferta për të shtyrë zgjedhjet, prandaj zgjohuni. Nuk ka për të ardhur nga rrufeja nga qielli që ta bëjë Kryeministrinë shkrumb e hi që të deklaroni fitoren.
Duke i konsideruar thirrjet e opozitës ndaj një revolucioni të pamundur kundër zbatimit të Reformës në Drejtësi, Rama u shpreh se kriza e një katundi.
Rama: Kjo është kriza e një katundi të izoluar politik e mediatik, ku mungesa e forcës së politikës, mbulohet me politikën e forcës, ku opinionist, portalist e zhurnalist të rekrutuar si mercenarë, kanë kapur peng të vërtetën, njësoj siç kanë kapur peng drejtësinë si vëllezërit e tyre, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, kjo është kriza e gogol-makutëve të sistemit të drejtësisë.
Kërcënimi për zgjedhjet dhimbje nga drejtësia: Kostoja që përpiqet t’i faturojë Partia Demokratike, Shqipërisë, duke kërcënuar të mos hyj në zgjedhje, është një dhimbje e zgjimit të drejtësisë, pas çerek shekulli sundimi të padrejtësisë dhe kjo dhimbje duhet përballuar me doemos dhe për të mos humbur edhe disa vite të tjera në përpjekjet për të bërë shtet. Partia Demokratike ka zgjedhur të lëshojë ultimatume dhe të kërcënojë se po nuk u pranuan ultimatumet e saj do të fusë vendin në kaos kushtetues. Unë nuk kam ardhur në këtë zyrë për t’i drejtuar pushkët opozitës në bulevard.
I gatshëm për dialog me opozitën edhe në çadër – Kam qenë, jam dhe do të jem i gatshëm, çdo ditë, çdo orë edhe në çadër po të duan, të takohemi dhe të dialogojmë me opozitën. E kam thënë edhe më parë dhe rikthesoj sot, jemi gati për dialog dhe jemi gati për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor. Jemi të hapur për krijimin e çdo mekanizmi të ri institucional, që PD-ja mund të propozojë për përmirësimin e mëtejshëm dhe respektimin e plotë të standardeve zgjedhore.
PD nuk mund të kërkojë qeveri teknike- Kjo qeveri nuk mund të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën me popullin, nënshkruar nga 1 mln shqiptarë. Kohëzgjatja e kësaj kontrate është deri më 18 qershor të këtij viti.
Opozita mund ta kërkojë largimin e qeverisë gjithë ditën, dhe qeveri teknike gjithë natën, por nuk mund ta imponojë dot këto kërkesa qeverisë, as Shqipërisë ku vendos populli me votë. Kjo qeveri do të vazhdojë punën e nisur deri në afatin përfundimtar të kontratës. Data e zgjedhjeve është e përcaktuar në Kushtetutën tonë si dita e gjykimit të partive nga populli. Partitë paraqiten para sovranit dhe jo populli para partive.
PD do kthehet në Kuvend për Vettingun- Jam sot i bindur se PD-ja do të hyjë në zgjedhje, pavarësisht përbetimeve e kërcënimeve. Ashtu siç jam i prirur të besoj se PD-ja do të kthehet në Kuvend për të votuar Vettingun, sepse nëse nuk e bën këtë për Shqipërinë dhe zgjedhësit e saj, duhet ta bëjë për të mos vulosur me turp fatin e saj në zgjedhje.
Diskutime rreth kësaj post