Edi Rama foli me ambasadorët për situatën politike në vend, por deri tani nuk ka një propozim konkret për rrugëzgjidhje. Megjithatë, një piketë të palëvizshme, mesa duket, Edi Rama e ka vendosur. Dhe ajo është data e zgjedhjeve.
“Ju e dini vet për kë votoni e si votoni. Unë s’kam ardhur këtu të bëj fushatë. Vetëm një gjë është e sigurtë: zgjedhjet do të bëhen më 18 qershor”, tha Rama.
Atë që kryeministri nuk e pranon ende, numri dy i Partisë Socialiste e ka shumë të qartë: kjo është një krizë. Ose së paku fillimi i saj.
“Shikoni se ç’po ndodh. Kërkohet me këmbëngulje që në Shqipëri të krijohet një krizë jo imagjinare, por institucionale. S’na ndan veç një muaj nga koha kur duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e të parit të vendit, presidentit. Kërkohet që ky vend të ngelet pa president. Ky është fillimi i krizës”, tha Ruçi.
Por Gramoz Ruçi nuk ishte shumë i qartë se kush nuk e do zgjedhjen e presidentit, pasi 71 votat që duhen, Partia Socialiste i ka, së bashku me LSI-në.
“Kërkohet që Shqipëria të mos ketë president, të mos ketë zgjedhje, të mos ketë Parlament në shtator”.
Për Gramoz Ruçin ka një arsye tjetër, përse zgjedhjet duhet të mbahen më 18 qershor.
“Shqipëria nuk ka më takat, as moral, as ekonomik e financiar, të provojë me destabilitet. Me mençurinë që na karakterizon të hapim sytë dhe të mos bëhemi prè e çdo oreksi, të kujtdo partie politike, qoftë edhe times”, tha kreu i grupit parlamentar socialist.
Deklaratat e Gramoz Ruçit, që nuk kursejnë kështu as orekset e LSI-së, vijnë në të njëjtën ditë me ato të Saimir Tahirit, i cili zgjodhi linjën e ashpër për t’i kthyer një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë sulmeve të Ilir Metës ndaj tij.
Por a do të thotë kjo se, brenda Partisë Socialiste po përvijohet linja e opozitës me Lëvizjen Socialiste për Integrim? E sigurtë është se, nëse jo kundërshtia ndaj LSI-së, po rritet padurimi brenda radhëve të socialistëve jo të paktë, skeptikë ndaj heshtjes së Ilir Metës, ndërsa çadra e opozitës tashmë po hyn në muajin e saj të dytë.
Diskutime rreth kësaj post