Pas vlerësimit nga DASH për gjyqtarin Ardian Dvorani ka reaguar ambasadorja e SHBA në vendin tonë Yuri Kim. Me anë të një postimi në Twitter ambasadorja uron gjyqtarin Dvoranin si i përzgjedhur ndër 12 më të mirët në luftën kundër korrupsionit.
“Urime Ardian Dvoranit nga Shqipëria për përzgjedhjen si Kampion Kundër Korrupsionit”, – shkruan Kim.
Po ashtu, një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se ky është një inkurajim i jashtëzakonshëm për ata persona që luftojnë për reformën në drejtësi në vend. Rama theksoi se Ardian Dvorani u godit sepse sipas tij nuk iu dorëzua presionit të së keqes.
“Vlerësimi i lartë i Sekretarit të ri të Shtetit për Ardian Dvoranin, është një inkurajim i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që luftojnë për reformën në drejtësi në këtë fazë kacafytjeje me të keqen ku ka hyrë reforma dhe një riafirmim i angazhimit të SHBA në luftën për reformën! Ardian Dvorani u godit harbutërisht pikërisht se nuk iu dorëzua presionit të së keqes dhe ky vlerësim rrezatues e shkrin krejt atë baltë imoraliteti politik e mediatik, që u hodh pa kursim mbi të, duke provuar edhe njëherë se e drejta vonon po nuk harron”, – shkruan ndër të tjera kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë, ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ai ka shprehur mirënjohjen për SHBA dhe BE-në për mbështetjen e vazhdueshme që i japin zbatimit të reformës në drejtësi. Balla deklaron se sulmet e dëshpëruara të Ilir Metës, pas të cilit qëndrojnë Sali Berisha, Lulzim Basha, kundër reformës dhe kundër institucioneve të reja të drejtësisë nuk mund sipas tij të cënojnë reformën në drejtësi.
“Mirënjohje SHBA dhe BE për mbështetjen e vazhdueshme që i japin zbatimit të Reformës në Drejtësi. Sulmet e dëshpëruara të Ilir Metës, pas të cilit qëndrojnë Sali Berisha, Lulzim Basha dhe kundër reformës dhe kundër institucioneve të reja të Drejtësisë nuk mund të cënojnë aspak këtë reformë historike”, – shkruan ndër të tjera Taulant Balla.
Diskutime rreth kësaj post