Kryeministri Edi Rama deklaroi pas votimit në Kuvend për krijimin e komisioneve të vetting-ut, se mazhoranca do të vazhdojë të çojë përpara një proces, që, sipas tij, është pa kthim.
“Të ngujuarit në çadër janë aty nga frika nga drejtësia. Refuzimi për të mos u bërë pjesë e një procesi historik për të çliruar drejtësinë nga kthetrat e gjykatësve të korruptuar, është një njollë e zezë turpi që partia Demokratike po i vë vetes. Një njollë e zezë që po përpiqet që t’ia vërë Shqipërisë. Një gjë është shumë e qartë: moskryerja e vetting-ut cënon rëndë anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Rama.
“Ne sot vazhduam të çojmë përpara nga ana jonë një proces që është pa kthim. Vetting-u mund të vonohet, por spastrimi i Pallatit të Drejtësisë nuk mund të ndalohet. Do të vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje për të gjetur zgjidhje. Por, nëse kreu i PD-së do të vazhdojë të sillet kështu, do të jetë mision i pamundur edhe për Partitë Popullore”, shtoi Rama.
Në fund, kreu i qeverisë theksoi se, “nuk jemi në krizë politike, por krizë nervore të PD-së”.
Diskutime rreth kësaj post