Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot, ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion” në TV Klan, ku ka theksuar se për çfarë nuk mund të negociohet me PD-në.
Rama nënvizoi se qeveria nuk mund të futet në bisedime me opozitën me idenë e ndryshimit të datës së zgjedhjeve, sepse, ajo është data e popullit dhe jo e partive.
“Nuk kemi asgjë në dorë për të vendosur brenda një grupi përfaqësuesish të popullit, që populli të kalojë në plan të dytë dhe tekat tona të kalojnë në plan të parë”, theksoi kryeministri Rama.
Z.Rama, kjo deklaratë e juaja për PD-në, është një ftesë për dialog edhe pas sugjerimeve të ndërkombëtarëve?
Kryeministri: Ftesa për dialog ka qenë e hapur gjithmonë, e kam përsëritur vazhdimisht, por sigurisht duke theksuar se për çfarë nuk mund të negociohet, që është data e zgjedhjeve, sepse ajo është data e popullit dhe jo e partive. Nuk kemi asgjë në dorë për të vendosur brenda një grupi përfaqësuesish të popullit, që populli të kalojë në plan të dytë dhe tekat tona të kalojnë në plan të parë. Si me qeverinë teknike që nuk negociohet për faktin që jemi nën një kontratë dhe kontrata respektohet deri me 18 qershor.
Që do të thotë se të tjerat mund të negociohen deri në çfarë pike?
Kryeministri: Çdo gjë tjetër është e negociueshme, pikat duhet t’i kërkojnë ata që nuk ndjehen mirë, ne ndjehemi shumë mirë dhe s’kemi asnjë problem të marrim në konsideratë çdo gjë që mund t’a bënte Partinë Demokratike të ndjehej më mirë. Por, sigurisht nuk mund të shkojmë përtej kompetencave tona./Opinion.al
Diskutime rreth kësaj post