Në Ditën e Europës, kryeministri Edi Rama, përcolli urimin që sot komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi t’i hapë rrugën miratimit në parim të projektit kushtetues të ekspertëve ndërkombëtarë.
“Unë dua shumë të uroj që në Ditën e Europës, komisioni i reformës në drejtësi do të votojë në parim draftin për t’i çelur rrugë miratimit brenda kornizava të përcaktuar ne parim, të të gjitha neneve të draftit, të një reforme historike e cila faktikisht na kalon nga ky stacion tranziti në fluturimin e negociatave për tu ulur përfundimisht në aeroportin e Bashkimit Europian”, u shpreh Rama në ceremoninë e organizuar në sheshin “Nënë Tereza”, me rastin e 9 Majit, Ditës së Europës.
Po ashtu, Rama vuri në dukje se nuk do të ketë amnisti për askënd që i ka shpëtuar drejtësisë ndër vite.
“Përfitoj nga rasti, t’i them të gjithë atyre që janë shqetësuar lidhur me një nen të draftit se, nuk do të ketë absolutisht, asnjë amnisti për askënd që, në të gjithë këto vite i ka shpëtuar drejtësisë. Ç’ka do të thotë se nuk do të lejohet asnjë dhe besoj se në këtë pikë nuk do të jetë e vështirë për të pasur konvergjencë të plotë midis të gjitha partive”.
Kryeministri i vendit, gjatë fjalës së tij, theksoi se Shqipëria është më pranë se kurrë, hapjes së negociatave.
‘Sot është dita për të folur për Europën dhe jemi në një moment kyç, dhe jemi më pranë se asnjëherë më parë çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Jemi më pranë, si asnjëherë më parë, krijimit të një mundësie konkrete për të ecur së bashku, me një rrugë që do të jetë jashtëzakonisht e vështirë por e vetmja rrugë për të bërë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Ne jemi krenar që pasi i dhamë Shqipërisë mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat me një vonesë të gjatë dhe të pajustifikueshme , për shkak të mungesës së vullnetit reformator të SHQUP-it, sot falë këtij vullneti jemi shume pranë çeljes së negociatave’, tha Rama.
Rama e cilësoi BE, një organizëm politik, mjaft të rëndësishëm për të ruajtur paqen.
“Bashkimi Europian është një krijesë që meriton shumë kritika por përtej të gjitha kritikave meriton admirim më të madh, si krijesa më e jashtëzakonshme e menduar nga njeriu dhe organizmi më i jashtëzakonshëm politik , mes bashkëjetës dhe paqes, mes popujsh që i përkasin kulturave të ndryshme, dhe janë pjesë e trungut të përbashkët të Europës.
Ndërkohë, ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha ka deklaruar se nëse Reforma në Drejtësi nuk miratohet, vendi rrezikon të humbasë trenin drejt Integrimit në Bashkimin Europian.
Ajo i ka bërë thirrje faktorit politik në vend që Reforma në Drejtësi të miratohet sa më shpejt, pasi vendi kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Sakaq, ajo ka shtuar se duhet punuar për të përmbushur edhe 5 prioritetet kyçe në mënyrë që Shqipëria të përfshihet me dinjitet në BE.
Diskutime rreth kësaj post