Kryeministri Edi Rama ka dashur t’i informojë vetë liderët e vendeve të BE-së për progresin e arritur nga Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës.
Përmes një letre dërguar homologëve të tij, kreu i qeverisë përmend përparimin e bërë dhe masat më të fundit për të luftuar krimin e organizuar.
“Ne i kemi çuar përgjegjësitë një hap më tej. Ditët e fundit, qeveria ime ka aprovuar plane ambicioze për të luftuar krimin e organizuar. Ne kemi paralajmëruar liderët e bandave kudo që ata mund të fshihen, ne do t’i gjejmë, do t’i arrestojmë dhe do t’i padisim, duke i besuar sistemit tonë të reformuar rishtazi të drejtësisë, për t’i dërguar këta të akuzuar në burg. Dhe ne do të konfiskojmë pasuritë e tyre të paligjshme. Kulturës kriminale që shqiptarët e kanë duruar për vite të tëra po i vjen fundi. Ne jemi në proces të ndërtimit të një infrastrukture kombëtare për sundimin e ligjit, të ngritur specifikisht për ta çrrënjosur këtë plagë dhe për të parandaluar infektimin e gjeneratave të ardhshme”, thotë Rama në letrën e tij.
Rama informon homologët e tij europianë se për vite me radhë, pas rënies së regjimit komunist, kultivimi i kanabisit shihej si mënyra më e lehtë për t’i mbijetuar kaosit dhe periudhës së vështirë.
Por kryeministri thotë se Shqipëria sot nuk mund të quhet më kryeqyteti europian i kanabisit dhe si provë sjell raportin e Guardia Di Finanza, sipas të cilit në Shqipëri gjatë këtij viti janë zbuluar 150 herë më pak plantacione krahasuar me një vit më parë.
“Shqipëria nuk është më kryeqyteti europian i kanabisit, ashtu siç disa media kanë dëshirë ta quajnë. Industria e kanabisit po vdes. Ne synojmë që ta ndalojmë plotësisht, njëherë e mirë, deri në fund të këtij viti”, thotë Rama.
Kryeministri shpreson që vitin e ardhshëm Shqipëria të çelë negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe për këtë kërkon mbështetjen e homologëve europianë.
Diskutime rreth kësaj post