Gjatë ditëve të fundit në disa media janë hedhur pyetje retorike; se ku “është zhdukur” kryeministri Edi Rama, i cili ka anuluar kohët e fundit pjesëmarrjen në disa takime e aktivitete të rëndësishme.
Duket se shqetësimi ka arritur kulmin ditën e sotme, kur Rama ka munguar edhe në një aktivitet të rëndësishëm siç ishte ai me Partinë Socialiste të Tiranës, ‘Ti Zgjedh’, nga i cili do të dalin delegatët për kongresin e 16 Nëntorit.
Kanë qenë pikërisht artikujt në media të ndryshme dhe mungesa e sotme në aktivitetin e PS-së, Tiranë, edhe arsyeja që duket se e ka detyruar Edi Ramën, që nëpërmjet një shënimi në Twitter, të tregojë se përse nuk ka qenë aq shumë prezent publikisht, siç edhe jemi mësuar.
Rama lë për të kuptuar se është në hall me daljet e tij publike: ‘Kur dal përditë pse del përditë pse del përditë, kur s’dal ca ditë çfarë ka që s’del përditë, historia e vjetër hip se të vrava zbrit se të vrava’.
Gjithsesi ai tregon se po bëhet gati që ditën e sotme të niset për në qytetin e Ohrit, ku do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe homologun e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për çështjen e Mini-Shengenit ballkanik.
Ndërkohë “zhdukjet” publike të shumëpërfolura gjatë ditëve të fundit, ai i ka justifikuar me ngarkesën që ka pasur duke u marrë me projektin që ka prezantuar së fundmi për të zhdukur organizatën, KÇK, (Kap ça të kapësh).
“Sot e kam nisur ditën me grupin e punës për Ligjin Special kundër krimit të organizuar+masat kundër KÇK që po finalizohen në letër. Brenda nëntorit fillon furtuna mbi foletë e krimit dhe korbat e KÇK. Tani për Ohër ku nisin sot takimet për marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal dhe nesër bëhet mbledhja e radhës ku janë ftuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor + partnerët europianë të nismave rajonale”, shkruan Rama sot në faqen e tij në Twitter.
Diskutime rreth kësaj post