Për herë të parë, Edi Rama, nuk ka guxuar që të quajë “sukses” të tijin dhe qeverisë që përfaqëson, një dështim spektakolarë si ai në Samitin e Berlinit. As deklarata optimiste e stilit shvejkian të ministrit të komanduar të Jashtëm Gent Cakaj dhe as tentativa e turpshme, për të korrigjuar lajmet në median zyrtare gjermane, DW, nuk mundën të fshehin dot, izolimin total që ju bë nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron në ato orë të Samitit në Berlin.
Në ato pak pamje dhe video që u shpërndanë, u pa qartë atmosfera e mënjanimit që ju rezervua, Edi Ramës, edhe nëpër korridoret e ambienteve ku u zhvillua takimi i rëndësishëm. Lajmet e përmbledhura nga ky Samit në lidhje me “Liderin global”, pak a shumë ishin këto;
Rama indentifikua dhe u paralajmërua zyrtarisht nga dy udhëheqësit kryesorë të BE-së, si protagonist i planit malinj të gatuar në Beograd, për ndarjen territoriale të Kosovës dhe ndryshime kufijsh në rajon.
Rama mësoi zyrtarisht, se nuk ka shanse që të paktën deri në muajin shtator, do të ketë ndonjë lajm për hapjen e negociatave. Madje nuk do të ketë as raport rutinë nga KE-ja.
Në të gjithë këtë panoramë, kryeministri i Shqipërisë, nuk po denjon as që të sqarojë shqiptarët apo të paktët votuesit e tij, të cilët i përmend vend e pa vend, sa herë i kërkohet që të hapë rrugë për daljen e vendit nga ky ngërç dhe krizë e paprecedentë. Pasi u mendua gjithë natën në dhomën e montazheve së bashku me stafin e propagandës, paraditen e sotme “foli”, me anë të një videoje të hedhur në ERTV. Në përpjekje titanike, për të treguar se Merkel dhe Macron nuk ja kanë hequr ende vizën, Rama, ka përzgjedhur me kujdes të sforcuar pamje ku ju lëshohet në qafë dy kryetarëve të shteteve, Gjermani e Francë.
Në fakt nëse ndiqet me kujdes e gjithë dinamike e pamjeve që ka shpërndarë vetë Rama, ai gjatë gjithë kohës është duke ndjekur nga mbrapa Merkel e Macron. Në krahë të tij shfaqet, Gent Cakaj, i cili qesh pa asnjë lidhje dhe i habit të gjithë me gëzimin dhe optimizmin shvejkian. Në vetëm pak sekonda të fundit, Rama rrëmben gati me dhunë nga një përqafim dhe për tu dukur edhe më interesant i tund gishtit presidentit Macron.
Por çfarë i thanë e çfarë u tha, asnjë fjalë. Gjithsesi edhe këto përqafime të sforcuara, duket qartë që janë “puthje lamtumire”, për njeriun nga i cili prisnin aq shumë dhe tashmë është shndërruar jo vetëm në një gangrenë për popullin shqiptarë, por edhe për rajonin dhe BE-në me lojërat e rrezikshme për ndryshime kufijsh.
Video:
Diskutime rreth kësaj post