A do tentojë Edi Rama të bindë Kosovën të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur? I pyetur nga gazetarët shqiptarë që kanë ndjekur samitin në Beograd, Rama la të kuptojë se mosdakordësia për samitin e Ballkanit të Hapur nuk cënon marrëdhënien speciale që Shqipëria ka me Kosovën, ndërsa thumboi në distancë dhe kryeministrin Albin Kurtin me të cilin kanë divergjenca sa i takon kësaj nisme.
“Ne kemi me Kosovën një marrëdhënie komplet speciale që nuk varet as nga “open” e as “close”Ballkan. Do të bëjmë çmos që do ta kemi sa më cilësore këtë marrëdhënie, por tjetër është marrëdhënia bilaterales mes dy ekonomive të vogla, dhe tjetër një ndërveprim multirateral në një hapësirë shumë më të madhe. Është komplet gjë tjetër.
Unë nuk bëj asnjë përpjekje për të imponuar. Është vendimi sovran i atyre që kanë marrë votën e kanë mandatin për të vendosur në Kosovë. Nuk është përgjjegjësia e as e drejta ime për të ndërhyrë. Aq më tepër që ju e dini që unë nuk kam një degë të PS-së në Kosovë. Nuk jam subjekt elektoral në Kosovë“-tha Rama.
Rama tha më tej se Kosova ka fituar luftën por tani po humbet paqen.
“Nëse duam vërtetë që të bëjmë Serbinë të kërkojmë falje duhet të kemi një strategji dhe duhet të kuptojmë se si shkohet deri tek njohja dhe më pas falja. E jo ti biem këmbës o kështu si them unë o s’ka se në këtë botë mbetesh vetëm. Dhe në paqe o kështu o s’ka nuk funksionon.
Në luftë po. O kështu si them unë s’ka merr pushkën o ti ose ai. Por Kosova e fitoi luftën dhe Serbia e ka humbur luftën. Tani Kosova po humbet paqen, ky është fakt i dhimbshëm por i vërtetë. Pastaj kush është zgjidhja?! Edi Rama është tradhëtar! Ok! Nëse kjo e lehtëson ekonominë dhe zgjidh çështjen e Kosovës jam gati të pranoj dhe ta mbaj këtë damkë me nder të madh nëse çështja zgjidhet duke thënë që Edi Rama është tradhëtar.”-u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post