Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ishte këtë të diel i ftuar në një intervistë televizive, foli për zhvillimet e fundit në lidhje me Kosovën.
Ai ka komentuar ndër të tjerat edhe një deklaratë të kryeministrit Rama, i cili në një moment tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po bën lojën e Kremlinit.
Muja tregoi disa arsye se përse nuk është Kosova, por Serbia ajo që po ndjek politikën e Kremlinit ndërsa shtoi se kryeministri Rama, këtë duhet t’ia thotë Aleksandër Vuçiçit, meqë vitet e fundit ka pasur raporte shumë të mira me të.
“Politika e Kremlinit manifeston në esencë, e para përdorimi i aseteve, apo resurseve ekonomike për militarizim, e dyta është “gaslighting”, i anëtarëve më të vegjël të cilët aspirojnë për demokraci dhe integrim në Europë dhe e treta është autokracia dhe oligarkia. Këto reflektojnë atë botëkuptimin e Kremilinit.
Kosova është viktimë e njërës prej këtyre, ne jemi subjekt i “gaslighting”, ne nuk kemi asnjë mëdyshje sa i takon integrimit në Bashkimin Europian, këtë mëdyshje e ka Serbia, ne nuk kemi asnjë mëdyshje sa i takon stilit tonë të jetesës dhe demokracisë këto mëdyshje i ka shoqëria serbe.
Kjo e Ramës është një deklaratë e pamatur e më tepër këtë duhet t’ia thoshte Vuçiçit me të cilin zoti Rama ka pasur raporte shumë të mira kohët e fundit. Nuk ekziston asnjë mëdyshje në Bashkimin Europian se Kosova është shoqëri pro evropiane”,-tha Armend Muja.
Diskutime rreth kësaj post