Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili ka thënë se “KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës”.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “tre muaj më parë, saktësisht me 19 qershor, këtë qëndrim të tanishëm Kryeministri Rama e thoshte me brengë, si diçka që ka rrezik se mund të ngjajë, e jo si diç që duhet të bëhet!”.
“ Në fakt, kjo kërkesë e re e tij nga një brengë e vjetër që besonim se e kishte është veçse kërkesë e stërvjetruar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka shkruar Haxhiu.
“Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane. Mbikqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ka përfunduar më 10 shtator 2012. Në veri të Kosovës, terroristët dhe kriminelët nga Serbia vranë rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në pritë në ora 3 pasmesnate të dielen që shkoi. Gjatë luftimeve të më pastajme, ata nuk kishin kurrfarë shansi me Policinë e Kosovës. Së paku tre terroristë u vranë, kurse të tjerët ose janë arrestuar (gjashtë sosh) ose janë në ndjekje (sepse janë në ikje). Nuk ka nevojë që KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Ajo që nevojitet janë patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës me KFOR-in përgjatë kufirit me Serbinë, sepse prej andej vjen armatimi, municioni dhe mercenarët që duan luftë”, ka shkruar ajo.
Me tej, ajo ka shkruar se “Republika e Kosovës dhe NATO janë partnerë strategjik dhe i shërbejnë të njëjtit qëllim e botëkuptim të sigurisë së demokracive. KFOR-i dhe Policia e Republikës natyrshëm janë një familje dhe bashkërisht e në koordinim do i zmbrapsin qëllimet për destabilizim të Republikës sonë të gatuara në Moskë e Beograd”.
“E falenderojmë Shqipërinë dhe shqiptarët për mbështetje e solidaritet”, tha ajo.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës.
Kurti, në një intervistë për median boshnjake “Hayat TV”, ka thënë se është Policia e Kosovës ajo që përgjigjet për sigurinë në Kosovë, pastaj vijnë EULEX-i dhe KFOR-i.
“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta nga policia jonë dhe KFOR-i në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është e përcaktuar. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet të ndryshojë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Shqipërisë ka thënë sot se KFOR duhet ta marrë sa më parë në kontroll veriun e Kosovës, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet dhe të mos ketë më viktima si pasojë e sulmeve.
Sipas tij kjo gjë duhet të kishte ndodhur më parë, por megjithatë më mirë pak vonë se sa shumë vonë.
“…Për të parandaluar me çdo mjet këtë konflikt, KFOR duhet të marrë në kontroll Veriun Kosovës. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia. Këtu s’ka rëndësi se kush e kërkon, këtë e kërkon situata. Po të ishte bërë më parë kjo nuk do të kishte ndodhur. Pak vonë sipas meje, por më mirë pak vonë se sa shumë vonë”, shtoi Rama.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për tërheqjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.
Presidenti serb këtë thirrje e bëri gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Rasmussen.
“E përsërita kërkesën që sigurinë në veri të Kosovës ta marrin pjesëtarët e KFOR-it, i cili ka kapacitete për të parandaluar veprimet e dhunshme të Prishtinës”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Diskutime rreth kësaj post