Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dhënë detaje të tjera sa i takon marrëveshjes me Italinë për emigrantët. Nga Parisi, aty ku ndodhet për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, kreu i qeverisë dha një intervistë për televizionin italian RETE4 dhe hodhi poshtë zërat se në Shqipëri emigrantët që do të vijnë, do të jenë vetëm burra dhe djem.
“Kjo nuk është e vërtetë. Kryeministrja foli për të mitur dhe gra shtatzëna që nuk do të përfshihen në këto udhëtime në qendrën e pritjes në Shqipëri. Këto janë vetëm gratë shtatzëna. Është shumë e rëndësishme sepse edhe në Shqipëri kjo gjë u keqkuptua me njëfarë shqetësimi, që do të ishte i drejtë nëse do të ishte i vërtetë”, tha Rama.
Kryeministri Rama sqaroi se kjo marrëveshje është hartuar nga një grup ekspertësh të të dyja vendeve dhe se respekton konventat ndërkombëtare.
“Pikërisht sepse edhe ne duam të respektojmë dinjitetin e këtyre njerëzve, ne ishim shumë të kujdesshëm me numrat dhe modalitetet. Dhe më pas ishte një grup ekspertësh italianë dhe shqiptarë që punuan për marrëveshjen nga të gjitha këndvështrimet dhe gjithashtu nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare.Ne e dimë se jemi shumë të vegjël për të qenë zgjidhja, por ne duhet të japim një dorë. Nderojmë veten dhe nderojmë këtë miqësi të thellë me Italinë”, deklaroi Rama.
Marrëveshja e firmosur mes Kryeministrit Rama dhe Kryeministres italiane Giorgia Meloni është kritikuar ashpër qoftë nga opozita në Shqipëri edhe ajo në Itali.
Diskutime rreth kësaj post