Kryeministri Edi Rama këtë të hënë, gjatë prezantimit të paketës Speciale Anti-KÇK, ka folur edhe për shtëpinë e tij. Një komentues përmendi “vilën në Surrel” dhe kreu i qeverisë u përgjigj kështu: “Vila ime në Surrel, në raport me tërësinë e banesave individuale të shqiptarëve, është një banesë më shumë dhe kaq”.
Sipas kryeministrit, si banesa e tij, kanë dertuar edhe rreth 500 mijë shqiptarë, që bëjnë punë të ndershme.
“Për të gjithë ata që kanë hedhur pa fund baltë lidhur me këtë, them se shtëpia ime është e deklaruar në çdo detaj dhe me çdo faturë dhe do të isha shumë i lumtur nëse të gjithë bashkëjetuesit në hapësirën publike të zhurmës politike do të binim dakord që të bënim një sqarim shtëpi më shtëpi për të ardhurat dhe sa korrespondojnë të ardhurat me produktin”, shtoi Rama.
Fjala e plotë për vilën në Surrel:
“Vila ime në Surrel? Cila vilë në Surrel? Ne kemi bërë një inventar së bashku me ministren e Shëndetësisë në funksion të një programi për të ndihmuar familjet në shtëpi që janë shëmbëlltyrë e mjerimit, ato shtëpitë që bëjnë lajm,. që kur shfaqen në rrjetet sociale, bëhen virale, ato shtëpitë që i bëjnë treçerekun e komentarorëve të thonë, kjo është Shqipëria. Inventari që kemi bërë është se këto shtëpi në gjithë Shqipërinë janë 1600 e pak. Por sa janë vilat si puna e asaj të Surrelit që janë ndërtuar në Shqipëri? Dhe këtu kam parasysh shtëpitë me 2-3 dhe 4 kate, që kanë produkt i punës në pjesën më të madhe të tyre: Janë mbi gjysmë milioni. Ajo vila ime në Surrel ka një formë që e ka të ndryshme, siç jam unë i ndryshëm nga të tjerët, dhe të gjithë nga njëri-tjetri. Por në raport me tërësinë e banesave individuale të shqiptare, është një banesë individuale e një familje shqiptare më shumë. Për të gjithë ata që kanë hedhur pafund baltë lidhur me këtë, mund të them vetëm që: Shtëpia ime është e deklaruar në çdo detaj dhe me çdo faturë. Dhe unë do isha shumë i lumtur nëse të gjithë bashkëjetuesit në hapësirën publike të zhurmës politike do të binin dakord të bënim një sqarim shtëpi më shtëpi për të ardhurat, dhe sa korrespondojnë të ardhurat me produktin”, përfundoi Rama./Opinion
Diskutime rreth kësaj post