Kryeministri Edi Rama vijon të mbetet i pakënaqur me punën e funksionarëve të lartë të Partisë Socialiste, duke paralajmëruar furtunë në degët dhe bashkitë socialiste. I pari i qeverisë ka mbledhur dje Kryesinë e PS, ndërkohë që gazeta ka zbardhur disa detaje nga kjo mbledhje, e cila është fokusuar në disa çështje të rëndësishme. Dy vendimet e rëndësishme të Kryesisë ishin thirrja e Asamblesë më 28 dhjetor dhe e Kongresit të PS më 30 mars. Nga ana tjetër, gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, mësohet se kryeministri Edi Rama ka shkundur socialistët, pasi vijon që të jetë i pakënaqur me punën e deputetëve, ministrave, kryetrarët e bashkive, koordinatorët në 12 qarqe dhe krerët e degëve të Partisë Socialiste, sa i takon zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Për këtë arsye, mësohet se Rama ka urdhëruar ngritjen e shtabeve elektorale dhe përgatitjen e tyre për zgjedhjet vendore. Po ashtu, mësohet se shefi i qeverisë ka ndarë detyrat për strukturat e Partisë Socialiste dhe ka urdhëruar që të gjithë duhet të zbresin në terren për të zhvilluar takime me qytetarët, pasi siç thanë burimet, ai është shprehur se socialistët janë vonë me organizmin sa i takon zgjedhjeve lokale. Madje, mësohet se Rama iu ka kërkuar të gjithëve që të japin maksimumin gjatë kësaj fushate, në mënyrë që PS në këto zgjedhje të dalë forcë e parë dhe pa ndihmën e asnjë partie tjetër.
Rama “shpërthen” ndaj kryebashkiakëve
Kryeministri Edi Rama ka qenë i ashpër edhe me kryebashkiakët dhe krerët e degëve të PS. Gazeta mësoi se Rama ua ka thënë troç dje të gjithëve anëtarëve të Kryesisë dhe koordinatorëve në qarqe, duke paralajmëruar, se shumica e drejtuesve vendorë socialistë nuk janë në planet e tij sa i takon zgjedhjeve vendore të 2019. Mësohet se një nga arsyet se përse Rama ka vënë në pikëpyetje rikandidimin e tyre, ka të bëjë me performancën e tyre të dobët, sidomos sa i takon ankesave të qytetarëve në portalin e “Bashkëqeverisjes që duam” dhe riorganizimit të partisë në kuadër të zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Në të njëjtën kohë, gazeta mësoi se Rama është shprehur i vendosur për të futur në skaner të gjithë degët e Partisë Socialiste, ndërsa ka paralajmëruar se shumë krerë degësh që nuk përmbushin detyrat e kërkuara nga ai, do të shkarkohen dhe largohen në 2019. Po ashtu pritet që vala e shkarkimeve të prekë dhe koordinatorët.
Ministrat në ankth
Ministrat e kabinetit qeveritar “Rama 2” vijojnë të jenë në ankth. Edhe pse gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Kryesisë, mësohet se nuk është folur për ndryshimet në qeveri, gazeta mësoi se do të jetë mbledhja e Asamblesë së PS, ajo në të cilën ata do të marrin vesh nëse janë pjesë e ndryshimeve të paralajmëruara në qeveri apo jo. Po dje Rama ka pasur shumë pakënaqësi ndaj tyre, duke deklaruar se janë shumë mbrapa me punësimet. Po ashtu ai ka thënë se studentët kanë dalë në protestë për shkak të performancës së dobët të qeverisë. Rama ja u ka bërë të ditur anëtarëve të Kryesisë se të gjithë ministrat do mbajnë përgjegjësi për objektivat. Kjo për faktin se në Asamble, Rama do të bëjë një analizë të qeverisë së tij. Mësohet se analiza nuk do të jetë e përgjithshme, por konkrete, me emra dhe sektorë edhe e nxitur nga zhvillimet politike gjatë këtij muaji, që nga protesta e studentëve dhe reagimi i fortë i banorëve të Unazës së Re. Kështu që ndonëse gjatë takimeve me studentët në disa studio televizive, kryeministri Rama i ka marrë vetë përgjegjësitë për gabimet e bëra në zbatimin e ligjit për arsimin e lartë, në Asamblenë Kombëtare pritet që përgjegjësitë të jenë të ndara.
Diskutime rreth kësaj post