Nga Xhovani Shyti
Shpejtësia me të cilën mazhoranca po i digjte raundet kushtetuese për të zgjedhur Presidentin e ri të Republikës ngriti hamendësimin për një skenar midis Ramës e Metës, me synim final dështimin dhe mbajtjen e parakohëshme të zgjedhjeve, si një ofertë që opozita të linte çadrën dhe të futej në to. E më pas Parlamenti i ri të zgjidhte Presidentin etj.,etj.
Ky ishte skenari i përfolur dhe i hedhur në përditshmëri mbi tryezat mediatike deri sa, më së fundi, aktorët kryesorë të tij u zbuluan, së bashku me prapaskenën.
Kjo ndodhi të enjten. Disa orë pasi Parlamenti në seancën plenare të radhës kishte djegur edhe raundin e tretë të diskutimit për zgjedhjen e Presidentit të ri, duke mos paraqitur asnjë kandidaturë. Veprim ky që e përforcoi edhe më tej praninë e skenarit për të shkuar në zgjedhje para datës së dekretuar nga presidenti Nishani.
Pandehma mundi të jetonte deri të enjten pasdite, kur lëvizjet midis dy protagonistëve, Rama-Meta dhe grupeve të tyre shërbyese, u shpeshtuan.
Pas raportimeve për takime sa në vilën 30, tek kryesia e Kuvendit, Kryeministria e selitë përkatëse të partive PS-LSI, si dhe mbledhjes së kryesive të tyre në distancë kohore pothuajse të njejta, skenari i djegies së raundeve presidencile për të provokuar zgjedhjet e parakohëshme nisi të thërmohej. Deri sa rënia e mbrëmjes e shkrumboi atë plotësisht kur u njoftua se PS-LS po mbidhnin firma deputetësh për të zgjedhur ditën e enjte Presidentin e ri.
Për vonesën dhe shtyerjen e procedurës së votimit parlamentar, Gramoz Ruç, kryesuesi i grupit parlamentar të socialisteve i kishte shtrënguar fort dhembët në seancën e paradites Ilir Metës, duke përhapur idenë e reme të thellimit të hendekut të konfliktit PS-LSI.
Deklarata e Ruçit, megjithatë, nuk zbuloi atë që do të sillte mbrëmja. Nuk zbuloi se skenari i djegies së raundeve presidenciale për të shkuar tek zgjedhjet ishte veç një intrigë politike tipike shqiptare për të sjellë në krye të presidencës Ilir Metën, njeriun më të përfolur të politikës.
Emri i Ilir Metës, së bashku me atë të Petrit Vasilit, ishin dy kandidaturat e miratuara formalisht prej Kryesisë së LSI-së, dhe që ju dorëzuan si propozim PS.
Për ti bashkuar, po formalisht së bashku me kandidatët formal të kësaj të fundit, pasi që Ilir Meta do të jetë presidneti i ri i Republikës kjo është paravendosur në lojën e tejzgjatur midis tij dhe Edi Ramës.
Ti President e unë Kryeministër edhe për një mandate të dytë qeverisjeje në koalicion. Ky ka qenë në thelb “sekreti” i skenarit të djegies së raundeve presidenciale për të sjellë zgjedhje të parakohëshm, që na qorollepsi të gjithëve dhe çliroi Ramën nga ankthi se mos homologu i tij skrapalli dëshironte ti zinte vendin.
Për hatër të kësaj fundloje, në interes të tij, nga mbrëmja e të enjtes Edi Rama merr frymë i qetë dhe deklaron me qejf: “ Kjo është një zgjidhje ideale edhe për PD. Meta është i prerë për të qenë për të gjithë dhe me asnjë”, kur në fakt nuk është plotësisht kështu. Pasi Edi Rama ja shiti presidencën Ilir Metës vetëm e vetëm për ta hequr qafe nga kolltuku i kryeministrit.
Diskutime rreth kësaj post