Nga Vlora, ku ka nënshkruar Paktin e Mirëqënies Sociale, kryeministri Edi Rama ka përsëritur se procesi i vettingut është kyç për të çuar përpara reformën në drejtësi.
Në fjalën e tij, Rama ka theksuar se, procesi në fjalë po has shumë pengesa, të cilat sipas tij ngrihen nga njerëz që nuk duan forcimin e institucioneve në vend.
“Këto reforma janë të kërcënuara nga kthetrat e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar. Populli shqiptar meriton të ketë shtet dhe institucione që i shërbejnë. Kjo është koha kur gjërat duhet të bëhen dhe gjërave që u vjen koha nuk iu del përpara asnjë forcë, sado e madhe që të jetë”, ka thënë Rama.
Duke u fokusuar tek motivi i këtij takimi, kreu i qeverisë u ka thënë të pranishëmve se, së bashku do ta çojnë përpara projektin e Rilindjes, pavarësisht gjithë vështirësive. Ai ka shtuar se, në 3 vite e gjysmë punë janë krijuar instrumente për të ndërtuar një sistem kompakt të shërbimeve sociale.
“Dua t’ju siguroj se pa reforma të thella skemat sociale sot do të kishin falimentuar. Pa reformën e pensioneve ne nuk do të kishim mundësi të trefishonim ndihmën ekonomike dhe nuk do të kishim mundësi të mbanin në këmbë këtë sistem”, ka thënë Rama.
Diskutime rreth kësaj post