Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të mërkurën se nafta e zbuluar në Shqipëri është “e një cilësie shumë të lartë, e ngjashme me atë premium të Arabisë Saudite”, raporton Radio Evropa e Lirë.
Duke folur në një konferencë për media më 23 gusht, Rama tha se shpimi ka arritur në 6.000 metra në thellësi të tokës pas një pune 10-vjeçare në zonën e Shpiragut, rreth pesë kilometra larg qytetit qendror të Shqipërisë, Berat.
“Rezerva është aty, në 6002 km në thellësi të tokës. Është prekur rezerva pas një eksplorimi shumë të vështirë dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave, si rezultat i formacionit gjeologjik”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ende nuk është ndeshur në ujë, çka do të thotë se, sipas tij, sasia e naftës do të jetë e madhe.
“Sipas analizave të bëra në Holandë nga kompania SHELL, është naftë e së njëjtës cilësi të naftës premuim të Arabisë Saudite”, theksoi ai.
Kërkimet për naftë në zonën e Shpiragut në Berat po kryhen nga kompania SHELL. Pritet të hapen mbi 15 puse. Kryeministri shqiptar tha se, paralelisht, do të bëhen kërkime për naftë edhe në zonën e Dumresë në Divjakë.
Kryeministri Rama parashikoi se ky zbulim do të sjellë një “përfitim të madh ekonomik dhe financiar”, dhe se investimi i përgjithshëm në rezervat e naftës do të shkojë në shtatë miliardë euro.
“Kjo pasuri do ketë ndikim te pensionet, sistemin e arsimit, shëndetësisë, mirëqenien e fëmijëve tanë”, nënvizoi Rama.
Ai bëri të ditur se nga fundi i tetorit dhe në fund të dhjetorit, do të ketë një rezultat publik nga vetë kompania SHELL në lidhje me krijimin e infrastrukturës për nxjerrjen e naftës. Në momentin që do të nisë prodhimi do të ketë mbi 5 mijë të punësuar, sipas tij.
Edhe pse e pasur me rezerva nafte, Shqipëria nuk ka industri të përpunimit të saj. Nafta që nxirret përpunohet jashtë Shqipërisë dhe më pas importohet dhe shpërndahet në tregun vendas, me një çmim që rezulton të jetë më i shtrenjti në rajon.
Aktualisht një litër naftë kushton 190 lekë ose 1.90 euro.
Rikujtojmë se Shqipëria ka kohë që është vend prodhues i naftës dhe madje në vitin 2019 u zbulua një burim i ri nafte në Shpirag, Shqipëri .Testimi i parë konfirmoi pritshmëritë se vendburimi i Shpiragut ka potencial për prodhim nafte në rendin e disa mijëra fuçive në ditë. Mirëpo megjithatë Shqipëria mbeti kryesisht e varur nga importi i naftës, meqë nafta e vendit doli të ishte e tipit të rëndë, që ka nevojë për shumë përpunim. Lloji i naftës që prodhohet në Shqipëri nuk përbën problem aq të madh për tregtinë sa përbën keqmenaxhimi i procesit të prodhimit të saj, të cilën qytetarët e paguajnë me çmime të larta. Prandaj pjesa më e madhe e naftës bruto eksportohet. Shqetësimi i ekspertëve lidhet me mungesën e rafinimit të saj në vend.
Diskutime rreth kësaj post