Janë të paktën dy aktivitete që Kryeministri dhe stafi i tij kanë menduar të organizojnë këtë fundjavë. Të njoftuara nga vetë selia rozë, bëhet fjalë për ditët e premte dhe të shtunë ku pritet që Edi Rama, Grupi Parlamentar dhe anëtarët e Asamblesë të zënë ekranin shqiptar për orë të tëra.
Teksa ka prezantuar disa herë platformën për “Bashkëqeverisjen em Qytetarët”, duket se Partisë Socialiste nuk i kanë mjaftuar muajt e fushatës dhe ato të pas 25 Qershorit. Ditën e premte do të jetë Pallati Olimpik në Tiranë ai që do të mbushet nga deputetët e PS-së dhe qytetarë të thirrur ku padyshim fjalën më të gjatë do ta mbajë vetë Rama.
Nga ana tjetër, vetëm një muaj pasi e thirri Asamblenë për të prezantuar Gramoz Ruçin si kryetar Kuvendi dhe për të njoftuar shkrirjen e një pejse të madhe të administratës, Rama ka vendosur të mbajë një takim të ngjashëm.
Ditën e shtunë, Rama ka prenotuar “Tirana International Hotel”. Përveç Ruçit dhe Ramës, ministrat socialiste do të flasin edhe një herë në Asamble, për të ripërsëritur në lidhje televizive direkte objektivat dhe programin e qeverisë.
Fitorja e vitit 2013 që do të shoqërohej edhe me dorëheqjen e Sali Berishës, do ta gjente Ramën krahas premtimeve të dhëna në fushatë, edhe me një zotim të ri. Kreu i PS në atë kohë u shpreh publikisht se vetëm një gjë ishte mëse e sigurt. Se ai nuk do të rrinte në televizor 24 orë si Berisha.
Por, kryeministrit të sotëm nuk i dolën muajt e fushatës teksa i sfiliti deputetët nëpër takime me qytetarët edhe gjatë verës. Në thelb të tyre padyshim ishte përsëritja e premtimeve të para 25 Qershorit, por qëllimi krejt ndryshe: Të bëhej bujë se mandati i dytë do të ishte edhe më serioz sa i përket qeverisjes dhe kujdesit ndaj popullit. Dhe njëkohësisht duke e bërë të bezdisshëm aktivitetin politik si për deputetët e tij, ashtu edhe për shikuesin. Madje sot Rama ka edhe televizionin e tij livestream në Facebook… /Lajme.al
Diskutime rreth kësaj post